• e mërkurë, 26 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Marta Kos për vizitë treditore në Shqipëri

Marta Kos për vizitë treditore në Shqipëri

Bruksel, 12 mars 2025 (MIA) - Eurokomisarja për Zgjerimin, Marta Kos, nga sot deri të premten do të qëndrojë në Shqipëri për të shqyrtuar rrjedhën aktuale të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

Siç njoftoi Komisioni Evropian, kjo është vizita e saj e parë zyrtare në Shqipëri pas marrjes së detyrës, Kos do ta përdorë për të biseduar me autoritetet shqiptare për progresin në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, veçanërisht në zbatimin e reformave themelore dhe në drejtësi.

"Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të theksuar rëndësinë e konsolidimit të progresit duke arritur rezultate të reja të dukshme, në përputhje me natyrën e procesit të bazuar në merita", thuhet në deklaratë. 

Është planifikuar që gjatë qëndrimit në Shqipëri, Kos të takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama, me kryenegociatoren shqiptare me BE-në, Majlinda Duka dhe me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Kos do të ketë takime edhe me anëtarët e Parlamentit, përfshirë deputetë të opozitës, si dhe me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo, gjithashtu, do t'u drejtohet edhe studentëve të Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës, me të cilët do të diskutojë rolin e shoqërisë civile dhe angazhimin e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

 Në kuadër të qëndrimit në Shqipëri, Kos në Elbasan do të vizitojë organizatat që zbatojnë projekte të financuara nga BE-ja dhe do të takohet me gra viktima të dhunës me bazë gjinore dhe me nxënës të përfshirë në Programin e shkëmbimit shkollor të Ballkanit Perëndimor. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR