• e premte, 27 dhjetor 2024

Marrin ilaçe për diabetikë për të humbur peshë, duke rrezikuar shëndetin

Marrin ilaçe për diabetikë për të humbur peshë, duke rrezikuar shëndetin

Shkup, 26 shkurt 2023 (MIA) - Përdorin ilaçe për diabetikët për të humbur peshë, duke rrezikuar shëndetin e tyre, ndërsa diabetikët i lënë pa ilaçe. I tillë është rasti i “ozempik”, ilaç i destinuar për trajtimin e diabetit të tipit 2, që shumëkush e përdorin për të humbur peshë. Ilaçi është deficitar, ndërsa çmimi i tij arrin shumën rreth pesë mijë denarë. Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i ilaçit pa u konsultuar me mjekun mund të shkaktojë një sërë efektesh negative, duke përfshirë kancerin e pankreasit.

Në vend se të konsultohen me mjek për përdorimin e ilaçit të tillë për humbje peshe, disa individë kërkojnë këshilla në internet. Pra, në një nga forumet e internetit kërkohet këshilla për injeksionet “ozempik” që përdoren duke shpuar stomakun. Kërkohet të ndahet përvoja dhe mënyra e furnizimit me ilaçin.

MIA ka vizituar disa barnatore në Shkup dhe në brendësi të shtetit duke kërkuar ilaçin. Na thanë se ilaçi është deficitar dhe i destinuar për diabetikët, por se e përdorin edhe për humbje peshe.

""Ozempik" mund të porositet, ato janë injeksione, shpohen si insulina, nën lëkurë. Duhet të përshkruhen nga mjeku, me recetë. Mund të përdoret edhe për humbje peshe, por mos e bëni, do të bllokojë të gjithë organizmin. Duhet të jetë në konsultim me mjekun", na thanë në një nga barnatoret.

Çmimi është rreth pesë mijë denarë, ndërsa në njërën nga barnatoret na thanë se ka interes për këtë ilaç.

“Nuk ka për të porositur, përndryshe i mbajmë po, aktualisht janë në mungesë. Është për diabetikët, por e përdorin shumë edhe për humbje peshe. Ata vendosin pak insulinë, insulina është aktive më gjatë, përshpejton metabolizmin. Ka dy-tre muaj që nuk është. Kërkesa është rritur kudo në botë. Papritmas u bë i njohur. Me siguri kanë mbaruar rezervat. Nuk është e domoshdoshme receta, nëse ka rekomandim nga mjeku", deklaruan në njërën nga barnatoret.

Telefonuam edhe në një kompani nga sektori farmaceutik.

"Nuk ka askund “ozempik”, në asnjë nga barnatoret tona. Kishte një paralajmërim fillestar se do të mbërrinin në mes të janarit, por nuk ka asgjë. Për momentin nuk kemi asnjë informacion. E kishim më parë. Nuk është, ndoshta që para Vitit të Ri. Çmimi ka qenë rreth pesë mijë e katërqind denarë", tregojnë nga kompania.

Vetëmjekimi shkakton efekte negative ndaj shëndetit

Përgjigje se cilat janë efektet anësore të semaglutidit ("ozempik") kur përdoret për humbje peshe kërkuam nga Dr. Daniela Nasteska, hulumtuese në Qendrën e Diabetit, Metabolizmit dhe Endokrinologjisë, në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar.

"Jepet së bashku me terapinë tjetër dhe vepron në qelizat që prodhojnë insulinë, për të rritur prodhimin e insulinës, ndërsa ndihmon edhe në mbijetesën më të mirë të atyre qelizave dhe në rritjen e tyre, gjë që është e rëndësishme për funksionimin normal të tyre. Në nivelin e trurit, për shembull, funksionon në drejtim të uljes së oreksit dhe mbrojtjes së qelizave të caktuara nervore. Më tutje, ngadalëson zbrazjen e stomakut, gjë që ndikon edhe në uljen e oreksit, dhe ka efekte në zemër, muskuj dhe pjesë të tjera të trupit të njeriut. Një nga efektet anësore më serioze dhe më të mirëdokumentuara është shfaqja e kancerit të pankreasit, shpjegon Nastesca. 

Ajo vuri në dukje se është një nga llojet më vdekjeprurëse të kancerit.

"Mendoj se këto ilaçe hynë në përdorim më të gjerë klinik për herë të parë rreth vitit 2009, 2010. Studime të ndryshme retrospektive klinike tregojnë se një përqindje e caktuar e pacientëve me diabet të tipit 2 zhvillojnë kancer pankreatik pas një periudhe përdorimi të semaglutidit. Pse? Edhe pse arsyet e këtij efekti janë ende duke u hetuar, ato lidhen me veprimin normal të ilaçit. Përmenda se ilaçi i zmadhon qelizat dhe në këtë mënyrë përmirëson funksionin e tyre. Megjithatë, duke e bërë këtë, ajo e shtyn qelizën të rritet më shumë se normalja dhe prish mekanizmat e saj normalë rregullues. Qelizat marrin një sinjal për të “bërë më shumë insulinë”, por edhe për t'u “rritur dhe shumuar”. Këto janë gjithashtu disa nga mënyrat apo bazat e zhvillimit të kancerit. Kanceri zhvillohet kur qelizat e trupit të njeriut, kudo, dalin jashtë kontrollit dhe nuk ndjekin mekanizmat normalë rregullues, por rriten në mënyrë të pakontrolluar, shumohen dhe shkatërrojnë në mënyrë agresive rrethinën", bën të ditur Naceska.

Sipas saj, bëhet fjalë për një ilaç të komplikuar që funksionon në disa nivele. Sipas indikacioneve, duke përdorur një ilaç të kësaj përbërjeje, siç sqaron Nasteska, janë të mundshme edhe efekte të tjera anësore. Për shembull, një përqindje e caktuar e pacientëve mund të zhvillojnë gjithashtu inflamacion të zorrëve.

"Ky ilaç në fakt imiton një hormon që prodhohet normalisht në trupin tonë. Diabetikët nuk e kanë në sasi të mjaftueshme dhe ka kuptim ta përdorin këtë ilaç. Njerëzit e shëndetshëm, të cilët tashmë e prodhojnë këtë hormon në trupin e tyre dhe në mënyrë plotësuiese marrin ilaç që imiton veprimin e tij, prishin mënyrat normale të veprimit të tij, duke hapur mundësi për çrregullime shëndetësore", paralajmëron Naceska.

Nuk ka pilula apo injeksione magjike, shprehet Nasteska, përdorimi i semaglutidit ("ozempik") për trajtimin e diabetit të tipit 2 vendoset vetëm kur kombinohet me ndryshime në sjelljen e njeriut, dietë, aktivitet fizik dhe së bashku me terapi të tjera të përshkruara nga një mjek specialist.

Ajo shprehet se ilaçi duhet të rezervohet për njerëzit që kanë diabet të tipit 2 dhe pesha trupore e të cilëve është mbi 150 kilogramë.

"Le të mbetet ajo sasi e vogël e ilaçit për ata, në vend se ta marrin njerëz që nuk i kanë këto probleme, do të thosha ta marrin për “arsye fiskullture”, është kategorike Naceska.

Kriteret për “përsosmërinë” e trupit femëror burojnë nga tendencat e modës

Sipas Nikolina Ivanovska Kotevska, profesoreshë e psikologjisë në gjimnazin "Nikolla Karev" në Shkup, kriteret për "përsosmërinë" e trupit të femrës dhe llojet e çrregullimeve në të ushqyerit rrjedhin nga trendet e modës që i plasojnë në të shumtën e rasteve gratë dhe burrat e shquar dhe të rëndësishëm.

"Të rinjtë kalojnë shumë kohë në rrjetet sociale. Atë që e plasojnë mediat sociale në shumicën e rasteve, për të mos përgjithësuar se janë të gjitha, është fotoshop. Sot, njerëzit më me ndikim, duke përfshirë "influencuesit" e sapokrijuar, dallohen "drejtpërdrejt" dhe në një foto. Ajo që të rinjtë perceptojnë është pikërisht ajo foto, dhe për këtë arsye ata e perceptojnë vetë realitetin ndryshe nga ajo që është në të vërtetë. Njëherësh, ajo që postohet në rrjetet sociale nuk ka pothuajse kurrfarë kontrolli, kështu që secili mund të japë rekomandime të caktuara dhe të promovojë stilet e të ushqyerit, duke përfshirë pirjen e diuretikëve si pjesë e procesit të humbjes së peshës, e deri te "ngrënia e pambukut", që është seriozisht e rrezikshme dhe me pasoja fatale, është decide Ivanovska Kotevska.

Ajo e përmend edhe sindromën e ashtuquajtur “Barbi”, duke e portretizuar jetën e dikujt si formën më të përsosur të tejmbushur me luks, larg asaj që është e vërtetë në realitet, ndaj thekson se kjo gjë i habit edhe më shumë të rinjtë dhe shtrembëron vlerat e tyre.

"Sot, edhe nga aspekti e prindërve, ashtu edhe si pedagogë, mësimdhënës dhe psikologë, për fat të keq tregojmë se nuk jemi mjaftueshëm të përgatitur për të parandaluar dhe përballuar disa abnormalitete psikologjike tek fëmijët tanë, veçanërisht me konceptin e pamjes fizike dhe pasqyrës për veten. Kjo çështje kërkon njohuri serioze paraprake të secilit prej nesh për atë se çfarë ndjekin fëmijët tanë në rrjetet sociale, njohuri për atë se si një trend i ri ndikon në shëndetin e tyre. Le të vlerësojmë se sa fëmijët dhe të rinjtë tanë janë të aftë të dallojnë në nivel të vetëdijshlm për realitetin kundrejt mediave sociale. Kështu që, ajo që do të ishte e domosdoshme është që të marrim përsipër pikërisht këtë kontroll dhe parandalim. Është e nevojshme të flitet hapur për këtë temë, të trajnohen shërbimet profesionale në shkolla, të trajnohen prindërit dhe të bisedohet shumë me fëmijët dhe të rinjtë. Të rinjtë janë gjithmonë të lëshuar në disa metoda të formësimit të trupit të tyre që përfshinin rreziqe të caktuara për shëndetin e tyre, por ndryshimi midis kohës së kaluar dhe të sotme është se sot kontrolli mbi besueshmërinë dhe aspektin shkencor të informacionit të disponueshëm dhe të shpejtë që ata përdorin është pothuajse i zhdukur", thekson Ivanovska Kotevska.

Ilaçi është i regjistruar në vend, lëshohet me recetë të mjekut

Lidhur me atë se si është i rregulluar përdorimi i këtij ilaçi në vend, MIA ka kërkuar përgjigje edhe nga Agjencia për Ilaçe dhe Pajisje Mjekësore MALMED. Nga aty u përgjigjën se ilaçi është i regjistruar në vendin tonë, por se jepet vetëm me recetë të mjekut. Sipas MALMED, në vend nuk është regjistruar asnjë rast i dhënies së ilaçit pa recetë të mjekut.

"Ju njoftojmë se i njëjti është i regjistruar në vendin tonë për indikacionin: trajtim të të rriturve me diabet mellitus tip 2 të kontrolluar në mënyrë të pamjaftueshme, si suplement i dietës dhe aktivitetit fizik. Ilaçi mund të jepet vetëm me recetë të mjekut. Gjatë kontrolleve të rregullta inspektuese, që ushtrohen nga MALMED, e që kanë të bëjnë me dhënien e barnave, nuk është shënuar asnjë rast i dhënies së ilaçit “ozempik” pa recetë të mjekut", thuhet në përgjigjen me shkrim nga MALMED.

Bllazhe Darudov

QËNDRONI TË LIDHUR