• e enjte, 26 dhjetor 2024

Marrëveshje financiare për IPARD 3, zgjerohen mundësitë për investim në bujqësi

Marrëveshje financiare për IPARD 3, zgjerohen mundësitë për investim në bujqësi

Shkup, 2 tetor 2023 (MIA) - Nëntëdhjetë e shtatë milionë euro mjete evropiane të pakthyeshme do të ndahen për modernizimin dhe zhvillimin e bujqësisë në Maqedoninë e Veriut përmes programit IPARD 3. Marrëveshjen financiare për IPARD 3 sot në emër të Qeverisë e nënshkroi zëvendëskryeministri për Çështje evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq në prani të euroambasadorit Dejvid Gir dhe ministrit të Financave, Fatmir Besimi dhe të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski.

Sipas Mariçiqit, zgjidhja financiare është thelbësore për bujqësinë tonë dhe njëherësh është vazhdimësi e historisë së suksesshme IPARD në këtë vend.

"Nëpërmjet forcimit të sektorit bujqësor u afrohemi standardeve të vendosura nga politika e përbashkët bujqësore e BE-së që është një nga më të rëndësishmet dhe në të cilën më së shumti investohet, ndërsa qëllimi kryesor është mbështetja ekonomike e zonave rurale", ka thënë Mariçiqi.

Lajmi i mirë, siç tha euroambasadori Gir është se IPARD 3 do të zgjerojë mundësitë e investimit.

"Krahas aktiviteteve tradicionale që mbështesim për ekonomitë bujqësore dhe fermat, do të ketë mbështetje edhe për ripyllëzimin dhe mbrojtjen e pyjeve që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ndryshimet klimatike. Gjithashtu edhe për shërbimet këshillimore dhe infrastrukturën rurale, si dhe mundësinë që fermerët të paraqesin projekte që nxisin ato grupe prodhuesish edhe në zinxhirë të shkurtër të furnizimit", ka thënë Gir.

Ndryshe, tridhjetë milionët e para nga IPARD3 janë tashmë në dispozicion për investime në thirrjen e parë publike nga programi IPARD 3 për masat 1 dhe 7.

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR