• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Marrëveshja e Shengenit është vënë në pikëpyetje për shkak të sigurisë së Evropës

Marrëveshja e Shengenit është vënë në pikëpyetje për shkak të sigurisë së Evropës

Shtator 2024

All Xhezira Ballkans

 Derisa Bashkimi Evropian përgatitet të festojë 40 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Shengen në vitin 2025, masat e fundit të Gjermanisë - në lidhje me zgjerimin e kufizimeve dhe kontrolleve dhe inspektimeve kufitare nën pretekstin e luftimit të krimit dhe flukseve të parregullta të migracionit - janë goditje për lirinë e lëvizjes së evropianëve dhe ngjalljen e dyshimeve të vjetra për të ardhmen e integrimit evropian.

Në ueb-faqen zyrtare të Marrëveshjes Shengen thuhet se, megjithëse Marrëveshja u pranua gjerësisht, lëvizja drejt heqjes së kontrolleve kufitare midis vendeve evropiane shpejt hasi vështirësi të shumta praktike për shkak të vëllimit të detyrës, numrit të vendeve të përfshira me Marrëveshjen dhe aspekteve relevante teknike.

Pavarësisht këtyre dhe vështirësive të tjera, përpjekjet diplomatike rezultuan me Marrëveshjen e Shengenit më 14 qershor të vitit 1985, që propozoi heqjen eksperimentale të kontrolleve kufitare.

Marrëveshja u nënshkrua në afërsi të Komunës Shengen në Luksemburg, ndërsa fillimisht u nënshkrua nga Belgjika, Franca, Gjermania (atëherë Gjermania Perëndimore), Luksemburgu dhe Holanda.

U deshën gati 10 vjet që Marrëveshja të hynte në fuqi dhe 20 vende të tjera u bashkuan me nënshkruesit fillestarë në dekadat në vijim.

Në vitin 1990, Marrëveshja Shengen u zgjerua me Marrëveshjen e dytë Shengen, e cila vendosi regjim të përbashkët vizash, i cili hyri në fuqi në vitin 1995 në shtatë vende. Pas nëntë vitesh, Marrëveshja u integrua në sistemin juridik të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja e Shengenit mbulon një sipërfaqe prej 4,3 milion kilometra katrorë, ku jetojnë pothuajse 420 milionë njerëz. Përveç kësaj, Zona Shengen u mundëson qytetarëve nga 59 vende të botës të hyjnë në të pa vizë. Kjo forcon më tej statusin e Bashkimit Evropian si një nga destinacionet më tërheqëse për turistët në botë.

 Pavarësisht krizave që kaloi Bashkimi Evropian, duke përfshirë krizën financiare të lidhur me eurozonën një dekadë më parë, Zona Shengen mbeti kohezive dhe ishte një litar shpëtimi për vendet e bllokut për të ruajtur qarkullimin e tregtisë, ekonomive dhe mallrave. Përkundër gjithë kësaj, Marrëveshja arriti t'u mbijetojë disa testeve deri kohët e fundit.

 Depërtim viti 2015

Fluksi masiv i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Azia, numri i të cilëve tejkaloi një milion në vitin 2015, bëri që disa vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Austrinë, Hungarinë, Slloveninë, Suedinë dhe Danimarkën, të vendosin kontrolle të rrepta kufitare, të cilat në atë kohë përbënin kërcënim për Marrëveshjen Shengen.

 Rrjedhimisht, pandemia ka detyruar qeveritë kombëtare të përdorin masa të përkohshme për mbyllje. Kjo ka pasur ndikim negativ në lirinë e lëvizjes, por Marrëveshja Shengen mbeti në fuqi pasi faza e rrezikshme e pandemisë kaloi me zbatimin masiv të fushatave të vaksinimit në nivel global.

Megjithatë, sapo kaloi kriza shëndetësore, numri i refugjatëve u rrit përsëri dhe në vitin 2023 për herë të parë që nga viti 2016 tejkaloi një milion, duke arritur numër rekord prej 1.14 milion. Kjo rezultoi me përkeqësim të krizës së mbipopullimit në qendrat e azilit në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, diskutimet dhe negociatat midis vendeve të Bashkimit Evropian për politikën e migracionit dhe azilit nuk përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë për Marrëveshjen Shengen, ndërsa hapi i Gjermanisë pas incidentit me thikë të kryer nga azilkërkues në qytetin Solingen nuk ngriti pyetje për të ardhmen e Marrëveshjes.

Nuk është e qartë se deri në çfarë mase hapi i Gjermanisë për shkak të incidentit me thikë mund të kërcënojë mbijetesën e Marrëveshjes, por, në çdo rast, konservatorët e vendit dhe partitë e krahut të djathtë në të gjithë Evropën po kërkojnë hapa dhe vendime të pavarura nga çdo detyrim i imponuar nga Shengeni ose ndonjë marrëveshje tjetër.

Vëzhguesit kanë frikë se çdo rishikim politik i Marrëveshjes të drejtuar nga Berlini mund të çojë në pasoja serioze dhe të pashembullta, duke marrë parasysh ndikimin e Gjermanisë si fuqi udhëheqëse e Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit evropianë shprehin shqetësime për sigurinë edhe në lidhje me Hungarinë, e cila ka kërcënuar të dërgojë emigrantë të parregullt në Bruksel si përgjigje të një gjobe prej 200 milionë eurosh të vendosur në Budapest nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë për shkeljen e të drejtave të emigrantëve.

Budapesti po përballet me kritika për zgjerimin e sistemit të tij për lëshimin e kartave të identitetit kombëtar për qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë, të cilat, sipas Komisionit Evropian, mund të përbëjnë anashkalim të sanksioneve dhe të kërcënojnë sigurinë e të gjithë Zonës Shengen.

Konflikti rreth juridiksionit

Megjithëse kontrollet kufitare janë në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes Shengen, ajo u lejon vendeve-anëtare të vendosin kontrolle të përkohshme në kufijtë e tyre në rast të rreziqeve të larta për rendin publik dhe sigurinë e brendshme.

Kohëzgjatja e këtyre kontrolleve u caktua në gjashtë muaj, por në fillim të vitit 2024 u bënë ndryshime sipas të cilave kohëzgjatja e tyre u rrit në dy vjet, me mundësinë e zgjatjes dy herë për një maksimum prej gjashtë muajsh.

Megjithatë, arkivat e Komisionit Evropian tregojnë se që nga viti 2006 janë parashtruar 441 kërkesa për kontroll të përkohshëm të kufirit, nga të cilat vetëm 35 janë parashtruar para vitit 2015. Kjo statistikë tregon se përdorimi i shpeshtë i kontrolleve të përkohshme kufitare të vendeve-anëtare të Shengenit është në kundërshtim me rregullat e Marrëveshjes, që i lë hapat e tillë si zgjidhjet e fundit të mundshme.

Politikat kombëtare të qeverive bënë që Komisioni Evropian t'u bënte thirrje vendeve-anëtare në prill të vitit 2014 të hiqnin gradualisht kontrollet e përkohshme kufitare. Megjithatë, kjo situatë shpesh çon në konflikte midis Komisionit Evropian dhe disa qeverive të krahut të djathtë rreth juridiksionit.

Për shembull, në vitin 2022, Gjykata Evropiane e Drejtësisë mori vendim që Austria kishte shkelur rregullat e Shengenit duke zgjeruar kontrollet e përkohshme kufitare me Hungarinë dhe Slloveninë, por Vjena vazhdoi të zbatojë politikën e saj, duke u mbështetur në justifikimet e sigurisë.

Në teori, nuk ka masa mbrojtëse të forta që mund të anashkalojnë ose kufizojnë politikat e kontrollit kufitar të qeverive kombëtare.

Në faqet e Marrëveshjes Shengen thuhet se rregulli i pezullimit të përkohshëm të Marrëveshjes lejon secilin nga vendet e Zonës Shengen të rivendosë kontrollet kufitare. Megjithatë, ky hap mund të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme që përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë kombëtare ose politikën publike të atij vendi.

Për më tepër, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, si dhe opinionii më i gjerë, duhet të informohen nëse një vend ndërmerr këtë hap të pazakontë.

Kontrolli kufitar në Gjermani

Saila Heinikoski, studiuese në Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se ka dyshime në lidhje me gatishmërinë e vendeve të Shengenit për të hequr kontrollet kufitare në të ardhmen e afërt për shkak të mesazheve që këto politika dërgojnë, të tilla si dhënia e përshtypjes për qytetarët, vendet e tjera të BE-së dhe emigrantët e mundshëm se ekziston një gjendje e jashtëzakonshme në Evropë me të cilën përballet qeveria.

Vendimi i Gjermanisë përshtatet në këtë kontekst, duke qenë se ministri i Brendshëm gjerman Nensi Fezer ka urdhëruar vendosjen e kontrolleve të përkohshme në të gjithë kufijtë tokësorë gjermanë për të ulur numrin e hyrjeve të parregullta.

Kontrollet shtesë pritet të zgjasin gjashtë muaj, gjë që është pengesë tjetër për lirinë e lëvizjes në kuadër të Bashkimit Evropian.

Që nga tetori i vitit 2023, këto pengesa kanë qenë të pranishme në kalimet kufitare me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën, së bashku me kufijtë tokësorë me Austrinë, ku Gjermania ka aplikuar masa të ngjashme për të frenuar migracionin e parregullt që nga shtatori i vitit 2015. Masat janë vazhduar disa herë dhe do të vazhdojnë deri më 15 dhjetor.

Megjithëse Ministria e Brendshme gjermane ka premtuar se policia federale do t'i zbatojë këto kontrolle në mënyrë fleksibile dhe me fokus në zvogëlimin e asaj që mund të shkaktojë shqetësime për udhëtarët ose të prishë tregtinë, kjo nuk është një garanci e mirëfilltë.

Këto masa u kritikuan nga ish-kryetari i Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker, i cili në mënyrë implicite kritikoi vendosjen e postblloqeve kontrolluese kufitare, veçanërisht në kufirin me Luksemburgun, ku pothuajse 50.000 gjermanë kalojnë çdo ditë.

"Arritjet e integrimit evropian tani janë vënë thjesht në pikëpyetje, gjë që më shqetëson", tha Junker për mediat gjermane, duke shtuar se "kufijtë nuk duhet të lejohen të rishfaqen në kokat dhe zemrat e njerëzve".

Vendet që i paraprinin Gjermanisë

Gjermania nuk është vendi i vetëm dhe as i pari që ka vendosur masa më të rrepta në kufijtë e saj. Para kësaj, të paktën shtatë vende të Shengenit kishin vendosur kontrolle të përkohshme kufitare.

Austria

Ajo ka filluar të zbatojë masa të përkohshme të rritjes së mbikëqyrjes dhe inspektimit në kufijtë me Çekinë, që do të zgjasë deri në mes të tetorit të vitit 2024, dhe me Hungarinë, e cila do të zgjasë deri më 11 nëntor të vitit rrjedhës.

Masat kanë për qëllim zvogëlimin e migracionit të paligjshëm dhe zvogëlimin e presionit mbi sistemin e azilit, si dhe parandalimin e kërcënimeve potenciale nga Lindja e Mesme për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Masat synojnë gjithashtu aktivitetet e spiunazhit në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës dhe mashtrimet në internet.

Francë

Parisi ndërmori masa në kufijtë e brendshëm midis fillimit të majit dhe 31 tetorit në përputhje me protokollet e forcuara të sigurisë përpara Olimpiadës, e cila tërhoqi miliona vizitorë në Francë.

Parisi e justifikoi veprimin e tij me luftën kundër hyrjes së paligjshme të emigrantëve, veçanërisht nga Turqia dhe Afrika e Veriut, dhe me luftimin e kërcënimit terrorist.

  Itali

Pas marrjes së kryesimit të G7, Italia prezantoi masa të jashtëzakonshme për të forcuar mbikëqyrjen dhe inspektimet kufitare deri më 18 dhjetor të vitit 2024 nën pretekstin e zgjidhjes së rrezikut nga infiltrimi nga ekstremistët dhe në prag të pasojave të luftës në Gaza dhe fluksit të migrantëve të parregullt.

Slloveni

Masat e kontrollit janë ndërmarrë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë me rastin e Kampionatit Evropian të Futbollit në Gjermani dhe Lojërave Olimpike në Paris dhe ato pritet të qëndrojnë në fuqi deri më 21 dhjetor.

Ndër arsyet për një vendim të tillë, sipas autoriteteve sllovene, janë "rritja e jostabilitetit në Lindjen e Mesme, pushtimi rus i Ukrainës, krimi i organizuar dhe kërcënimet terroriste."

Vendet skandinave

As vendet e Skandinavisë nuk mbeten prapa në masat për të kufizuar lëvizjen, duke përfshirë Norvegjinë, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe nënshkruese e Marrëveshjes Shengen, e cila, së bashku me Danimarkën dhe Suedinë, vendosi masa më 12 maj, që do të zgjasin deri më 11 nëntor.

Danimarka dhe Suedia i justifikuan masat e tyre me frikën e pasojave të luftës në Gaza dhe frikën e reagimeve ndaj përdhosjes së Kuranit në vitin 2023, ndërsa Oslo i justifikoi këto masa me "kërcënim në rritje për infrastrukturën vitale dhe operacionet e shërbimeve të inteligjencës ruse, të cilat kërcënojnë eksportet norvegjeze të gazit dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën."

Justifikime për arsye sigurie

Sipas Marrëveshjes Shengen, heqja e kontrolleve kufitare synon të lejojë evropianët të lëvizin lirshëm dhe pa kufizime, duke rritur kështu vëllimin e biznesit dhe tregtisë brenda dhe midis vendeve-anëtare, duke përmirësuar kështu standardet e jetesës së miliona njerëzve.

Megjithatë, rritja e justifikimit të kontrolleve kufitare për arsye sigurie, rritja e ndikimit të partive të krahut të djathtë dhe konfliktet midis qeverive kombëtare dhe institucioneve të Bashkimit Evropian mbi juridiksionin i bëjnë objektivat e Marrëveshjes Shengen më të kërcënuara se kurrë më parë.

"Zona Shengen nuk është në prag të kolapsit, por ngjarjet e fundit tregojnë gjithashtu se reformat e fundit të paraqitura si hap drejt ruajtjes së një hapësire pa kufij ishin në vetvete iluzion. E ardhmja e zonës Shengen ka gjasa të mbetet e shënuar nga një shkallë e lartë shqetësimi dhe pasigurie", shprehet Alberto Horst Nidhart, analist në Qendrën për Politikë Evropiane.

 

QËNDRONI TË LIDHUR