• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Marinakis: Presim të shohim qëndrimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut

Marinakis: Presim të shohim qëndrimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut

Athinë, 15 maj 2024 (MIA) - Presim të shohim qëndrimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut. Ka detyrime të cilat duhet të përmbushen, ndërsa padyshim Greqia si një shtet serioz dhe i besueshëm që u përmbahet detyrimeve të saj, do të veprojë në përputhje me rrethanat, theksoi zëdhënësi i Qeverisë greke, Pavlos Marinakis në intervistën për radion greke "Parapolitika", bën të ditur korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Duke folur për radion, por edhe në intervistën për televizionin "Antena", Marinakis përsëriti pozicionet greke edhe për Marrëveshjen e Prespës edhe për marrëdhëniet me vendin tonë, tha se në marrëveshje ka dy anë "Greqia e cila realisht nuk ka shumë detyrime" dhe "Maqedonia e Veriut e cila kishte dhe ka për të bërë shumë". 

"Kur, tani për tani, në nivelin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, nuk e pranojnë emrin e vendit të tyre, të shtetit, pse ne të nxitojmë? A ka arsye për nxitim? Presim të shohim nëse Maqedonia e Veriut do t'i respektojë dispozitat e dakorduara dhe të ratifikuara ndërkombëtarisht të Marrëveshjes", tha Marinakis për "Parapolitika". 

Për "Antena" sqaroi se ata si Demokraci e Re mbeten në qëndrimin se "Marrëveshja është e keqe", por se që në samit kanë sqaruar se e kanë detyrim ta respektojnë “sepse është marrëveshje e ratifikuar e votuar nga të dyja vendet”.

Në pyetjen nëse vetoja për rrugën evropiane të vendit është diçka për të cilën po mendon pala greke, Marinakis përsëriti se "rruga qasëse e Maqedonisë së Veriut varet tërësisht nga harmonizimi i saj me Marrëveshjen e Prespës”.

Shefi i diplomacisë greke Jorgos Gerapetrisis sot pas dyerve të mbyllura informoi Komisionin e punëve të jashtme dhe mbrojtjes për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet greko-turke, pas takimit Erdogan-Micotakis në Ankara, ndërsa menjëherë pas takimit në bisedë me gazetarët grek të cilët e ndoqën punën e Parlamentit porositi se "kur Maqedonia e Veriut të respektojë Marrëveshjen e Prespës, memorandumet do të votohen".

Për reagimin e fjalimit të presidentes Gordana Siljanovska Davkova, Gerapetrisis tha se Greqia ka reaguar shpejtë, ndërsa posaçërisht theksoi se nuk ka pasur asnjë rast tjetër ku brenda pak orësh kanë reaguar kryetarët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, si dhe NATO-s dhe Departamentit të shtetit. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR