• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mariçiq: Takimi i liderëve ishte një hap i shkëlqyer, në ditët në vazhdim mund t’i lëvizim pozicionet

Mariçiq: Takimi i liderëve ishte një hap i shkëlqyer, në ditët në vazhdim mund t’i lëvizim pozicionet

Shkup, 12 qershor 2023 (MIA) - Takimi i liderëve ka qenë një hap i shkëlqyer në drejtim të duhur dhe në atë takim u panë kushtet e Qeverisë, respektivisht LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së opozitare për ndryshimet kushtetuese dhe në ditët në vazhdim mund të lëvizim pozicionet, por sigurisht që duhet të jetë brenda kufijve real, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Mariçiq gjatë pjesëmarrjes në televizionin Sitel, ka thënë se duhet të vazhdohet nga aty ku është lënë takimi i liderëve, por ajo të jetë në suaza reale dhe me një bisedë të arsyeshme, për të arritur kështu në “pikën që bashkërisht të ndërmarrim dhe ndajmë përgjegjësinë”.

"Do t'i ofrojmë edhe një shans opozitës në ditët në vijim që t'i qaset këtyre bisedimeve që të mund bashkërisht të biem dakord dhe zbatojmë planin për ndryshime kushtetuese. Nëse kjo nuk ndodh dhe nëse apelet për një dialog të arsyeshëm nga ana jonë nuk japin fryt tek DPMNE, ne do të nisemi në bisedë me çdo deputet", tha Mariçiq.

Sipas Mariçiqit, propozimet e VMRO-DPMNE-së lëvizin në korniza joreale dhe jashtë kornizës negociuese që nënkupton rinegociim të kornizës që tashmë është miratuar vitin e kaluar.

"Mendoj se është e udhës të ulemi, duan takim ekipor apo individual, duan përsëri takim liderësh dhe të bisedojmë aty ku ka mbaruar takimi i liderëve, në ditët në vazhdim jam i sigurt se mund t'i lëvizim pozicionet, por nëse e gjithë kjo është në korniza reale. Ne mund të kërkojmë që Bullgaria të mos ketë të drejtën e vetos ose të ndryshojmë rregullat në BE, në të kaluarën jemi përpjekur të ndryshojmë rregullat në NATO, nuk kemi pasur sukses dhe prandaj duhet të kemi një mënyrë të arsyeshme për bisedë ku së bashku do të marrim përgjegjësinë, do ta ndajmë përgjegjësinë në atë qeveri të përbashkët dhe t'ua lehtësojmë qytetarëve se kësisoj me të vërtetë kemi perspektivë evropiane”, ka theksuar Mariçiqi.

Mariçiq tutje theksoi se është e papërshtatshme të thuhet se dikush mund të na e marrë gjuhën dhe identitetin.

"Mendoj se është shumë e papërshtatshme ne të pretendojmë se dikush mund të na e marrë gjuhën dhe identitetin, kjo nuk mund të ndodhë, prandaj e kemi vendosur gjuhën maqedonase në kornizën negociuese, prandaj kemi insistuar të nënshkruhet Marrëveshja me Fronteksin në gjuhën maqedonase, prandaj kemi insistuar të realizohen skriningjet në gjuhën maqedonase. Që të sigurojmë të gjithë publikun dhe DPMNE-në se identiteti tashmë është i garantuar. Në atë drejtim jam i sigurt se do të kishte një disponim për të biseduar, qoftë me PE-në apo Këshillin, apo kudo që të jetë, të dalë një riafirmim i tillë, pra presim një riafirmim të tillë", ka thënë Mariçiq.

Në këtë rast, theksoi Mariçiq, duhet të jenë konstruktiv edhe nga VMRO-DPMNE, sepse tashmë disa shtete anëtare në periudhën e ardhshme mund ta bëjnë këtë me qëndrimet e tyre dhe bëri thirrje në arsyeshmëri tek opozita dhe vazhdim të dialogut.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR