• e shtunë, 23 nëntor 2024

Mariçiq: Plani i rritjes na jep forcë dhe motivim shtesë që të mos heqim dorë nga e ardhmja evropiane

Mariçiq: Plani i rritjes na jep forcë dhe motivim shtesë që të mos heqim dorë nga e ardhmja evropiane

Shkup, 6 prill 2024 (MIA) - Plani i rritjes na jep forcë dhe motivim shtesë që të mos heqim dorë nga e ardhmja evropiane për të mirën e të gjithë qytetarëve, tha sot zëvendëskryeministri i parë për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Atë që e kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian, thotë Mariçiq, më në fund është e sigurt se do të realizohet pasi Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian arritën konsensus për propozimin e Komisionit Evropian për krijimin e Instrumentit për reforma dhe rritje, d.m.th. Planin për rritje për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo paraqet një hap të rëndësishëm përpara për Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së, si vend që tashmë ka filluar negociatat për inkuadrim dhe ka përfunduar me sukses fazën e parë, pra procesin e skriningut. Me fjalë të tjera, Bashkimi Evropian është i përkushtuar të zbatojë një nga strategjitë më të mëdha të investimeve për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmes bashkëpunimit të përbashkët me gjithsej dy miliardë euro grante dhe katër miliardë euro kredi për të ndihmuar Reformat në lidhje me BE-në dhe afrimin ekonomik deri në standardin evropian", tha Mariçiq.

Sipas tij, ky hap thekson përkushtimin për të mbështetur përafrimin e Maqedonisë së Veriut me vlerat, ligjet dhe standardet e BE-së, gjë që do të përshpejtojë ndjeshëm efektin mbi të gjitha përfitimet socio-ekonomike në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Instrumenti do të realizohet në periudhën 2024-2027, do të plotësojë Instrumentin paraqasës për ndihmë (IPA III) duke rritur ndjeshëm ndihmën financiare për partnerët në rajon.

Qëllimi i Planit të rritjes, thekson zëvendëskryeministri është të mbështesë partnerët e BE-së nga Ballkani Perëndimor në ndërmarrjen e reformave në lidhje me BE-në dhe do të nxisë afrimin ekonomik me BE-në bazuar në agjendat ambicioze reformuese.

"Porosia nga BE-ja ndërlidhet me angazhimet tona, konfirmon atë që është e rëndësishme për ne, BE-ja dëshiron që qytetarët tanë të jenë pjesë e Unionit. Ndërkohë, duhet të zbatojmë reformat përmes planeve strategjike me qëllim rritjen e rajonit dhe të shtetit të cilat do të sjellin përfitime të konsiderueshme socio-ekonomike për të gjithë qytetarët. Kjo është arsyeja pse Plani i rritjes na jep forcë dhe motivim shtesë për të mos hequr dorë nga e ardhmja evropiane për të mirën e të gjithë qytetarëve”, ka thënë mes tjerash Mariciqi.

foto dhe video: SÇE 

 

QËNDRONI TË LIDHUR