• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mariçiq - O'Brajan: Mbështetje nga SHBA-ja për arritje më të shpejtë të vlerave evropiane dhe qëllimit strategjik

Mariçiq - O'Brajan: Mbështetje nga SHBA-ja për arritje më të shpejtë të vlerave evropiane dhe qëllimit strategjik

Shkup, 12 korrik 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq është takuar me ambasadorin Xhim O'Brajan, shef i Departamentit për koordinim të sanksioneve pranë Departamentit të Shtetit dhe i emëruar si ndihmëssekretar shtetëror për Evropë dhe Euro-Azi, me të cilin shkëmbyen mendime për proceset aktuale që i zhvillon Maqedonia e Veriut dhe rolin e vendit tonë në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Siç bën të ditur Sekretariati për Çështje Evropiane, zëvendëskryeministri Mariçiq ka thënë se mbështetja miqësore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe harmonisë ndëretnike në shoqërinë e vendit si dhe në realizimin e interesit strategjik– anëtarësimin në NATO. Në suaza të kësaj, shtohet se Mariçiq ka shprehur pritjet që bashkëpunimi i frytshëm mes dy vendeve do të vazhdojë në procesin integrues në BE si dhe përmbushjen e agjendës reformuese.

Porosia nga Xhim O'Brajan, shef i Departamentit për koordinim të sanksioneve në Departamentin e Shtetit dhe ndihmëssekretar shtetëror për Evropë dhe Euro- Azi i cili ka njohuri të shkëlqyeshme për situatat në Ballkanin Perëndimor, ka qenë se Maqedonia e Veriut duhet të qëndrojë e palëkundur në përmbushjen e vizionit për BE-në dhe se është në rrugë të mbarë për të siguruar perspektivën evropiane e cila do ta bëjë atë një faktor kryesor në stabilitetin rajonal dhe definimin e kufijve evropianë.

Mariçiq, theksohet më tej, ka falënderuar O'Brajanin që SHBA njeh liderizmin tonë dhe vlerëson vendosmërinë dhe përkushtimit ndaj reformave të cilat, siç tha ai, “duhet të vazhdojmë më me dinamikë, me theks të veçantë në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, si parakusht kryesor për përparimin në integrimin evropian”.

"Bashkëbiseduesit në takim u pajtuan se besimi dhe aleanca që kemi në NATO, së bashku me partneritetin strategjik, kanë avancuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kanë forcuar gatishmërinë e administratës amerikane për t'i ofruar mbështetje të fuqishme Maqedonisë së Veriut në negociatat me BE-në, me qëllim arritjen më të shpejtë të vlerave evropiane dhe përmbushjen e qëllimit tonë strategjik", theksohet në komunikatë.

Duke pasur parasysh rëndësinë e procesit të negociatave me BE-në për prosperitetin dhe zhvillimin e rajonit, zëvendëskryeministri ka shprehur kënaqësinë për vëmendjen që SHBA-ja i kushton Ballkanit Perëndimor, me bindjen se Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që Maqedonia e Veriut të mbetet shembull pozitiv dhe promotor i vlerave euroatlantike në rajon.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington, zëvendëskryeministri Mariçiq i shoqëruar nga Sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu Halili do të takohet edhe me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmës sekretarin e shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Gabriel Eskobar, thuhet në njoftimin e SÇE-së. 

Foto: SÇE

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR