• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mariçiq: Kemi bërë gjithçka që nuk është ndryshime kushtetuese, nëse vazhdon kjo situatë do të shohim sukses më të vogël në reforma

Mariçiq: Kemi bërë gjithçka që nuk është ndryshime kushtetuese, nëse vazhdon kjo situatë do të shohim sukses më të vogël në reforma

Shkup, 18 dhjetor 2023 (MIA) - Gjithçka që nuk është ndryshime kushtetuese e kemi bërë deri javën e kaluar. Çështja është se si të zgjidhet problemi që vitin e ardhshëm të mos kemi një situatë në të cilën edhe 10 për qind më pak nga qytetarët do të besojnë në BE, theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Ai në fjalimin sot gjatë promovimit të "Analiza e opinionit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (2014 - 2023) dhe "Integrimet në BE në hijen e proceseve të brendshme - Analiza e opinionit publik për vizin 2023" organizuar nga Instituti për demokraci "Societar Civilis" në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, tha se ndarja në shoqërinë tonë është seriozisht e lidhur me Bashkimin Evropian, diçka që nuk ka qenë kurrë në të kaluarën.

"Që nga qershori theksojmë se kur të ketë një vendim për Ukrainën dhe Moldavinë, do të ketë edhe për ne hapje të klasterit 1 dhe një konferencë të re ndërqeveritare, nëse deri atëherë do të ndërmarrim hapat e nevojshëm. Gjithçka që nuk është ndryshime kushtetuese e kemi bërë deri javën e kaluar. Ne kemi përfunduar skriningun, konsultimi për provat është në proces dhe besoj se do të përfundojë me sukses dhe do ta dërgojmë atë që ishte një proces burokratik në Bruksel, tha Mariçiq.

Ai përkujtoi se skriningu është vlerësuar me sukses në Komisionin Evropian dhe në raport, por ky është maksimumi që mund të bëjmë pa vendime të mëtejshme politike në Kuvend.

"Një pyetje e rëndësishme është se si do ta zgjidhim më tej këtë problem, sepse nuk duhet të futemi në një situatë në të cilën edhe dhjetë për qind më pak do të besojnë në BE ose do të jenë kundër saj. Është e rëndësishme nëse ne ofrojmë një plan të qartë për tejkalimin e kësaj situate pa menduar se është e mundur që ne të ndryshojmë BE-në", shtoi Mariçiq.

Siç ka theksuar, marrëveshja e bashkëfqinjësisë është pjesë e marrëdhënieve tona të mira fqinjësore, por nuk është kusht për fazën e ardhshme. Kusht për fazën e ardhshme, siç tha ai, janë ndryshimet kushtetuese.

"Sa i përket raportit, un asnjëherë nuk e shoh dhe as nuk e kam parë ndonjëherë si një dokument që duhet të japë ndonjë gjykim. Kjo është një vlerësim dhe analizë e gjërave për momentin, veçanërisht që për momentin, përveç atij raporti, ne jemi gjithashtu me fat që kemi një raport skriningu për klasterin e parë që analizon të mirat dhe të mungesat në mënyrë shumë më të detajuar. Duhet të bëjmë përpjekje për ta hequr nga tavolina çështjen dypalëshe, sepse ekziston një dilemë e rreme që është e pranishme edhe në anketën, ajo është nëse anëtarësimi ynë në BE varet nga çështja dypalëshe apo nga reformat - Varet nga të dyja. As njëra dhe as tjetra nuk mund të përjashtohen", shtoi Mariçiq.

Ai theksoi se nëse kjo situatë vazhdon dhe zgjat me vite, ne do të shënojmë sukses më të vogël në reforma.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane Arbër Ademi konsideron se të gjithë politikanët dhe partitë janë përgjegjës për rënien e mbështetjes për procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE.

"Duke u kujdesur për një votë më shumë, nuk na interesojnë qëllimet strategjike të vendit tonë, kështu rritet populizmi dhe nacionalizmi dhe euroskepticizmi. Nuk ka alternativë më të mirë se kjo që ofrohet tani. E di që procesi është shumë i gjatë, që nga viti 2001, gjithçka që është arritur deri më sot është arritur në partneritet të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë", shtoi Ademi në fjalimin e tij gjatë prezantimit të gjetjeve të Institutit për Demokraci "Societas Civilis".

Ai mbetet i qëndrimit se nuk kemi alternativë tjetër përveç miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

 

"Edhe unë nuk do të doja të kalojmë përgjatë këtij procesi të ndryshimeve kushtetuese, por cila është alternativa? Nuk ka alternativë tjetër. Mendoj se partitë politike dhe ne politikanët jemi më përgjegjës për atë që mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin në BE është vetëm 60 për qind. Ajo që pasqyrohet në raport, duhet të shqyrtohet më seriozisht nga të gjitha institucionet dhe nga qeveria, dhe nga Kuvendi dhe nga Komisioni për Çështje Evropiane", shtoi Ademi.

Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, Aleksandar Nikollovski, e dhëna se të rinjtë janë më së shumti euroskeptikë është më shqetësuese.

"Ndoshta gjenerata e re i sheh gjërat shumë më qartë. Pothuajse 90 për qind mendojnë se në çdo rast do të largoheshin, gjë që mund ta vendosë Maqedoninë në situatën më të keqe, e që anëtarësimi në BE shihet si një mundësi për largim më të lehtë nga vendi. Diçka që ka ndodhur me Kroacinë së fundmi, më parë me Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë. Në këtë drejtim, mendoj se gjëja më e gabuar që mund të bëjnë disa shtete anëtare është që të mbajnë seminare në vend për emigrim më të lehtë në vendet e tyre", tha Nikolloski.

Ai potencoi se shkaku kryesor pse nuk fillojmë bisedime është për shkak të nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit, si dhe të parimit të mosndëshkimit. 

"U nxitua për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës më 17 qershor sepse më 29 qershor ishte takimi i Këshillit Evropian, në të cilin Maqedonia duhej të merrte datë për negociata, por Maqedonia nuk mori datë, por përkundrazi mori tri detyra që nuk i ka përfunduar ende. E para është reforma në strukturat e sigurisë, e cila në praktikë nuk ndodhi, detyra e dytë ishte reforma në administratën publike, e cila po bëhet gjithnjë e më e paefektshme dhe detyra e tretë ishte lufta kundër krimit të lartë dhe korrupsionit. Këto tri detyra nuk zbatohen në vazhdimësi, por marrëveshjet nënshkruhen me parimin 'ne nënshkruajmë çfarë të duash, vetëm mos na prekni në shtëpi', dhe kjo na ka çuar në një situatë ku fqinjët vendosin kushtet që duan" shtoi Nikolloski.

Sipas hulumtimit të Institutit të Demokracisë "Societas Civilis", niveli i mbështetjes te qytetarët për anëtarësim në BE këtë vit është më i ulët. Euroskepticizmi, nuk është në rritje, dhe pjesa më e madhe e qytetarëve mbeten të pavendosur për këtë çështje. ls/fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR