• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mariçiq: Bisedimet me BE-në hapin programet evropiane për inovacion dhe zhvillimin teknologjik për hulumtuesit maqedonas

Mariçiq: Bisedimet me BE-në hapin programet evropiane për inovacion dhe zhvillimin teknologjik për hulumtuesit maqedonas

Shkup, 28 prill 2023 (MIA) - Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e gatshme t 'i plotësojë kushtet e nevojshme për pjesëmarrje efektive në programet hulumtuese, me qëllim që Maqedonia e Veriut të integrohet dhe të kontribuojë në Fushën Hulumtuese Evropiane, dhe të japë kontributin e vet në të, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq në fjalimin në takimin dypalësh të skriningut me Komisionin Evropian për Kapitullin 25 - "Shkencë dhe hulumtim".

"Bisedimet me BE hapin një cikël të ri në zhvillimin e shkencës dhe hulumtimit në Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht na japin një kornizë të mirë dhe motivim të madh për të vazhduar në rrugën në të cilën ecim", tha Mariçiqi.

Siç njoftoi SÇE-ja, kryenegociatori me BE-në, Mariçiq, shfrytëzoi rastin dhe i prezantoi shkurtimisht reformat dhe punën e ndërmarrë në këtë fushë, duke bërë të ditur në atë që është ndërmarrë deri tani dhe atë që po punohet.

"Maqedonia e Veriut është në fazën përfundimtare të zhvillimit të Strategjisë për specializim të mençur, duke ndjekur metodologjinë standarde të Bashkimit Evropian dhe në komunikim të vazhdueshëm me Qendrën e përbashkët hulumtuese. Miratimi i Strategjisë për specializim të mençur dhe vendosja e infrastrukturës institucionale për mbështetjen e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe biznesit është me rëndësi të veçantë për krijimin e një ekonomie konkurrente", tha Mariçiqi, duke shtuar se ne kemi zhvilluar edhe udhërrëfyes kombëtar për infrastrukturën hulumtuese dhe se Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik si agjenci për implementim vazhdimisht zbaton aktivitete që lidhen me ndarjen e mjeteve për projekte novatore në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ai vuri në dukje se buxheti për hulumtim është dyfishuar në krahasim me dy vitet e mëparshme dhe se është orientuar drejt financimit të projekteve shkencore-hulumtuese dhe infrastrukturës hulumtuese, si në mjedisin akademik ashtu edhe në institucionet publike hulumtuese.

Mariçiqi, shton SÇE-ja, bëri të ditur se hulumtimi dhe inovacionet në kohë të sotme konsiderohen si shtytës të çdo ekonomie që synon të jetë më prosperuese dhe më konkurrente.

Në të njëjtën kohë, hulumtimi dhe inovacioni konsiderohen si mjetet për të arritur transformimin digjital dhe të gjelbër të çdo shoqërie. Si vend anëtar i BE-së, do të kemi mundësinë të marrim pjesë plotësisht në programet hulumtuese të BE-së, që do të thotë përfshirjen e hulumtuesve maqedonas në projekte të mëdha inovacioni, hulumtimi dhe shkence", tha Mariçiqi.

Kryenegociatori me BE-në shprehu kënaqësinë që Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e takimit të sivjemë ministror për Ballkanin Perëndimor në Shkup më 5-6 qershor, meqë, sipas

Mariçiqit, “ky takim është me rëndësi politike dhe strategjike për vendin tonë, por edhe mundësi për ministrat e Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesit e lartë të Komisionit, faktorët tjerë relevantë të përfshihen në diskutime të rëndësishme dhe të zhvillojnë lidhje dhe bashkëpunime edhe më të thella”.

Maqedonia e Veriut, që nga janari i vitit 2021, është anëtare e plotfuqishme e programit të Bashkimit "Horizont Evropa" për hulumtim dhe inovacione, në të cilin merr pjesë nën të njëjtat rregulla dhe detyrime si vendet anëtare të BE-së, me çka Komisioni Evropian i jep rëndësi strategjike që reflektohet në agjendën e Komisionit për inovacione, hulumtim, arsim, kulturë dhe rini, informojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

Në takimin dypalësh të skriningut morën pjesë përfaqësues të Grupit të punës të kryesuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si institucioni kryesor për Kapitullin 25, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Entit Shtetëror për Pronësi Industriale, ekspertë nga mjedisi akademik, Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, të cilët prezantuan kornizën ligjore, nivelin e përputhshmërisë, kornizën institucionale dhe planet e ardhshme në fushat: shkencë, politika për hulumtim dhe inovacione, aspekti i baraspeshës mes gjinive, konceptin e shkencës së hapur, mbrojtjen e pronësisë industriale në kontekstin e hulumtimit dhe zhvillimit, pjesëmarrjen në programet e Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimin me rrjetet, organet dhe agjencitë tjera evropiane dhe ndërkombëtare.

Takimi i ardhshëm i agjendës dypalëshe të skriningut, nga Klasteri 3, "Aftësi konkurruese dhe rritje inkluizive", është për Kapitullin 19, "Politika sociale dhe punësimi", që do të mbahet nga 10-12 maj.

Në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane do të takohet me ushtruesin e detyrës së drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e përgjithshme për politikat e fqinjësisë dhe bisedime e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Mikella Matuela, dhe me Sajmon Mordue, këshilltar për politikë të jashtme të kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

QËNDRONI TË LIDHUR