• e shtunë, 23 nëntor 2024

Mariçiq: Është e rëndësishme t'u përmbahemi detyrimeve nga rruga jonë evropiane

Mariçiq: Është e rëndësishme t'u përmbahemi detyrimeve nga rruga jonë evropiane

Shkup, 28 mars 2023 (MIA) - Procesi i ndryshimeve kushtetuese do të fillojë para verës. Presim që të jetë i suksesshëm, ndërsa zgjedhjet do të mbahen në terminin e rregullt, nga mesi i vitit të ardhshëm. Është e rëndësishme t'u përmbahemi obligimeve të rrugës sonë evropiane dhe anëtarësimit në BE, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq. 

Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve  para konferencës “Organizatat civile – katalizatorë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, në organizim të Sekretariatit për Çështje Evropiane, Mariçiqi theksoi se procedura për formimin e grupit punues për ndryshimet kushtetuese është nga fundi, se ka një pjesëmarrje të mirë nga ata që i kanë ftuar për bisedë dhe pjesëmarrje në grupin, të cilin Ministria e Drejtësisë pret ta publikojë së shpejti.

"Pres që në ditët në vijim të publikohet ai grup dhe të fillojmë me formulimin e ndryshimeve kushtetuese. Në Kuvend, ashtu siç është tani, ka atmosferë në të cilën opozita dëshiron të shmangë temën e ndryshimeve kushtetuese. Mendoj se nuk i shkon në favor askujt, përkundrazi mendoj se duhet ta hapim sa më parë debatin. Prandaj ne do t'i formulojmë amendamentet dhe do t'i lëshojmë në debat shoqëror fillimisht përmes organizatave civile, përmes institucioneve akademike, për t'i dhënë hapësirë shkëmbimit të argumenteve, shkëmbimit të mendimeve, hyrjes në thelbin e amendamenteve kushtetuese dhe krijimit të një atmosferë në Parlament, në të cilën do të kemi një debat të shëndoshë racional, për atë nëse duam dhe sa shpejt duam të jemi në BE, sepse kjo është çështja reale, e jo çështja e vërtetë Bullgaria. Çlshtja e vërtetë është nëse dhe sa shpejt duam të arrijmë në BE", shprehet Mariçiqi. 

Ai konsideron se ka kohë të mjaftueshme për të përfunduar ndryshimet kushtetuese deri në nëntor.

"Herën e fundit kur ndryshonte Kushtetuta kjo ka zgjatur rreth tre, katër muaj. Mendoj se duhet të fillojmë para verës. A do të jetë maj, a do të jetë qershor, do të shohim, por duhet të fillojmë para verës për të përmbushur afatin", tha zëvendëskryeministri Mariçiq.

Ndër të tjera, ai thekson se ata e kanë për detyrë të përpiqen të ulin opozitën në tavolinë për diskutim dhe janë të hapur ndaj propozimeve të tyre ku opozita ka fjalën kryesore se si të forcohet roli i tyre, por që nuk mund të iket nga çështja e ndryshimeve kushtetuese.

"Mendoj se kjo është e rëndësishme jo vetëm për Qeverinë aktuale dhe për opozitën aktuale, është e rëndësishme për një proces që zgjat shumë dhe e kalon mandatin e çdo Qeverie dhe përbërjeje të Kuvendit. Është e rëndësishme që të kemi tryezë të gjithë faktorët kryesorë politikë. Më vjen keq që VMRO-DPMNE është ende në arrati, nuk dëshiron të diskutojë për këtë çështje, ndërsa ne nuk mund t'i ikim kësaj çështjeje. A do t'i diskutojmë tani, për gjashtë muaj nga tani, për një vit nga tani, apo dy vjet nga tani, ato çështje do të jenë këtu në tryezë. Përvoja me kontestin me Greqinë na tregon se vonesa dhe injorimi i problemeve nuk bën që problemet të zhduken. Përkundrazi, i bën ato më të mëdha dhe më të vështira për t'u zgjidhur pas një kohe të caktuar. Prandaj, do t'i bëjmë thirrje vazhdimisht edhe kryesisë së VMRO-DPMNE-së, por edhe të gjithë deputetëve që të përfshihen në këtë proces", shprehet Mariçiqi. 

Lidhur me mundësinë e përmendur nga ministri i Drejtësisë, përveç ndryshimeve kushtetuese në kuadër të integrimeve evropiane, për të hapur edhe çështje të tjera, zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane thotë se nuk beson që ministri dëshiron të imponojë diçka, sepse ai ka folur me të për këtë temë, por mendon se është logjike kur shtrohet çështja e ndryshimeve kushtetuese, të hapen të gjitha temat që mund të diskutohen, le të themi, për ndrysh8imet kushtetuese.

"Unë personalisht konsideroj, e mendoj se ky është edhe qëndrimi i Qeverisë, megjithëse nuk kemi diskutuar, se është logjike të fokusohemi në ato detyrime që dalin nga korniza e negociatave. Pra, ne kemi shansin më të mirë për sukses dhe shansin më të mirë për t'ia dalë mbanë në përfundimin e ndryshimeve kushtetuese brenda një periudhe të arsyeshme kohore këtë vit. Çdo çështje shtesë ia vlen të merret në konsideratë, por nuk besoj se tani është koha e duhur për këtë sepse do të marrë më shumë kohë dhe më shumë energji dhe do ta komplikojë procesin, thotë Mariçiq, duke lënë hapësirë që të gjitha çështjet të diskutohen pas përfundimit të këtij cikli të ndryshimeve kushtetuese. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR