• e enjte, 26 dhjetor 2024

Maqedonia e Veriut pjesëmarrëse në një operacion të udhëhequr nga Fronteksi, janë gjetur 505 automobilë të vjedhur, 16 varka dhe 2.000 pjesë të vjedhura për vetura

Maqedonia e Veriut pjesëmarrëse në një operacion të udhëhequr nga Fronteksi, janë gjetur 505 automobilë të vjedhur, 16 varka dhe 2.000 pjesë të vjedhura për vetura

Shkup, 3 nëntor 2023 (MIA) - Në operacionin "Mobile 6", të realizuar në tetor të këtij viti, ndërsa i udhëhequr nga Fronteksi, janë gjetur 505 automobila të vjedhur, rreth 2.000 pjesë të vjedhura për vetura, 16 varka, 32 motorë të jashtëm dhe 248 dokumente të falsifikuara. Në mënyrë shtesë, organet pjesëmarrëse në operacion kanë identifikuar 209 kontrabandues të emigrantëve. 

"Mobile 6", njoftuan sot nga Europoli, është zhvilluar në kufijtë e jashtëm tokësorë të BE-së, si dhe në lokacionet kufitare në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Moldavi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Në operacion kanë marrë pjesë rreth 400 nëpunës për zbatimin e ligjit nga 25 vende, të cilët kanë kryer kontrolle të hollësishme në disa lokacione. 

"Zbatimi i ligjit identifikoi një sërë taktikash kriminale gjatë operacionit, duke përfshirë disa raste që përfshijnë të ashtuquajturat 'makina klonuese'. Kriminelët përdorin dokumentet personale që i përkasin një automjeti tjetër, zakonisht një makine të shkatërruar, të së njëjtës markë, model dhe ngjyrë. Dokumentet u dorëzohen autoriteteve në rast të një procedure kontrolli kufitar lidhur me kërkimin e një makine të vjedhur. Incidente të tilla përfaqësojnë një problem në rritje për nëpunësit kufitarë, pasi sofistikimi i numrave të identifikimit të automjeteve të falsifikuara rritet", sqarohet në kumtesën e Europolit.

Europoli, nënvizojnë në kumtesë, e mbështeti operacionin "Mobile 6" përmes sigurimit të ekspertizës gjatë takimit përgatitor, si dhe kontribut në kontrollet në bazën e të dhënave gjatë fazës së aksionit. 

Operacioni ishte nën ombrellën e EMPACT, Platforma multidiciplinare evropiane kundër kërcënimeve kriminale, që përballet me kërcënimet më të rëndësishme nga krimi i organizuar dhe serioz ndërkombëtar që e tangon BE-në. EMPACT e përforcon zbatimin e informacioneve të inteligjencës dhe bashkëpunimin strategjik dhe operacional mes autoriteteve kombëtare, institucioneve dhe trupave të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë. 

"Operacioni 'Mobile 6' bën pjesë në prioritetin e EMPACT për krim të organizuar të pasurisë", theksojnë nga Europoli.

Në aksion morën pjesë Austria, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Franca, Greqia, Gjermania, Italia, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, si dhe Europoli, Fronteksi dhe INTERPOL-i. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR