• e enjte, 26 dhjetor 2024

Maqedonia e Veriut merr kryesimin me PBEJL-në

Maqedonia e Veriut merr kryesimin me PBEJL-në

Shkup, 5 qershor 2023 (MIA)- Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL) në Budva. Ky është takimi i fundit ministror në kuadër të kryesimit malazez, para marrjes së kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut më 1 korrik.

Në fjalimin para homologëve dhe mysafirëve, siç njofton MPJ, Osmani falënderoi për kryesimin e suksesshëm të Malit të Zi, duke afirmuar gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut që përmes prioriteteve dhe angazhimit të saj, iniciativa të vazhdojë të jetë platformë e dobishme për bashkëpunim në rajon.

“Maqedonia e Veriut merr kryesimin në kohëra të vështira, duke pasur parasysh seriozitetin e luftës që po zhvillohet në kontinentin tonë kundër Ukrainës sovrane dhe të pavarur. Kur i shqyrtuam prioritetet e mundshme të mandatit tonë si kryesues i ardhshëm, pikërisht kjo, si dhe sfidat e mbetura rajonale dhe çështjet e hapura, na bënë të ktheheshim te vlerat bazë mbi të cilat mbështetet iniciativa - marrëdhëniet e mira fqinjësore, stabiliteti, siguria, bashkëpunimi, aspirata për integrimin e vendeve tona në familjen euroatlantike të popujve të lirë dhe demokratikë”, ka thënë Osmani.

Ndër tjerash ai e theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët për të mirën e qytetarëve të rajonit dhe në këtë kontekst edhe rolin e madh të vendeve pjesëmarrëse të PBEJL-së të cilat janë edhe vende anëtare të BE-së. Ai shprehu mirënjohje për planin e ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, të shpallur nga kryetarja e Komisionit Evropian Fon der Lajen javën e kaluar në Bratislavë, si përgjigje në kohë ndaj lutjes sonë për integrim më të madh para anëtarësimit në BE.

"Madje nga sot, ky proces duhet të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit për njerëzit e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ministri Osmani.

Foto: MPJ

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR