• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lupço Palevski- Pallço arrestohet në Turqi

Lupço Palevski- Pallço arrestohet në Turqi

Shkup, 5 dhjetor 2023 (MIA) - I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, Lupço Palevski - Palço është arrestuar sonte në Turqi konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në konferencën e sontme për media në MPB.

"Sapo kemi marrë informatë nga kolegët nga Turqia mike se kreatori, planifikuesi, koordinatori kryesor dhe ekzekutuesi i drejtpërdrejtë është kapur dhe privuar nga liria në territorin e tyre, identike me njohuritë tona operative në rrugën e lëvizjes së të dyshuarit", tha ministri.

Arrestimi vjen pas fletarrestit ndërkombëtar për Palevskin të cilën MPB-ja e lëshoi ​​dje.

"Lupço Palevski i lindur më 12.12.1964 në Shkup kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar për hetimin e veprave penale 'rrëmbim' dhe 'vrasje' sipas urdhrit XV KO nr.3047/23 të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup", u bë e ditur në ueb faqen e MPB-së.

Prokuroria Themelore Publike Shkup sot më herët në gjykatë ka paraqitur propozimin për caktimin e masës së paraburgimit prej 48 orësh dhe kundër 46-vjeçarit nga Shkupi i dyshuar se ka ndihmuar Lupço Palevski-Palçon që të arratiset në Turqi përmes Bullgarisë dhe Serbisë.

Vanja e mitur është gjetur e pajetë më 3 dhjetor në afërsi të Shkupit, pasi ishte shpallur e zhdukur më 27 nëntor të këtij viti. Ndërkaq, Pançe me origjinë nga Velesi është gjetur të njëjtën ditë, pas denoncimit për zhdukjen e tij më 24 nëntor.

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sonte janë dorëzuar edhe katër të dyshuar për vrasjen e Vanja Gjorçevskës, ku gjyqtari i procedurës paraprake do të duhet të vendosë për propozimin e prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Që të katër janë dërguar në Burgun hetimor në Shutkë, ku tre janë në paraburgim si të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi, pasi Gjykata paraprakisht kishte pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup dhe u caktoi masën e paraburgimit prej 48 orësh për shkak të rrezikut për arratisje, ndikim mbi dëshmitarët dhe kryerjen e veprës penale të re, ndërsa babai i vajzës 14-vjeçare dyshohet se ka ndarë informacione me të dyshuarit tjerë për largimin e saj nga shtëpia.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR