• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lufta në Ukrainë në fokus të takimit të nesërm të G-20 në Nju Delhi

Lufta në Ukrainë në fokus të takimit të nesërm të G-20 në Nju Delhi
Budapest, 1 mars 2023 (MIA) - Lufta në Ukrainë do të jetë në qendër të takimit të nesërm të ministrave të Punëve të Jashtme të G-20 në Nju Delhi, ku mes tjerash pritet të marrin pjesë edhe ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov dhe homologët e tij nga SHBA-ja dhe Kina, Entoni Blinken dhe Çjin Gang. Sonte mbahet darkë për mirëseardhje, ndërsa takimet kryesore priten nesër. 

Ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Francës, Kinës dhe SHBA-së nuk do të jenë në darkë sepse nuk do të mbërrijnë me kohë në Nju Delhi, ndërsa Lavrovi, me kërkesë të ambasadës ruse, do të rrijë me delegacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vendet nga Azia Lindore. 

Moska paralajmëroi se do ta shfrytëzojë takimin që t'i sqarojë botës se kush është përgjegjës për krizën politike dhe ekonomike në të cilën gjendet bota.

Berlini menjëherë u përgjigj se ministrja e Punëve të Jashtme, Analena Berbok "nuk do të lejojë që Rusia ta marrë gjithë vëmendjen dhe fuqishëm do të kundërshtojë propagandën ruse".

Mbledhja vjen disa ditë pasi takimi i ministrave të financave të G-20 në Bengaluru, gjithashtu, u la në hije të konfliktit në Ukrainë. Atëherë delegacionet nuk arritën të bien dakord për të dënuar Rusinë për luftën, kështu që ata duhej të kënaqeshin me një dokument që ishte vetëm një përmbledhje e takimit.

"Kjo luftë duhet dënuar. Shpresoj, jam i sigurt, se India do të përdorë kapacitetet e saj diplomatike për ta bërë Rusinë të kuptojë se kjo luftë duhet të përfundojë", tha kreu i diplomacisë evropiane, Zhosep Borel.

Nga një burim evropian merret vesh se delegacioni i BE-së nuk do ta mbështesë deklaratën përfundimtare nëse ajo nuk dënon luftën, transmeton Hina.

Ambasada ruse në Nju Delhi mbrëmë vonë njoftoi se pala ruse "planifikon të flasë me vendosmëri dhe haptas për arsyet për problemet serioze në politikën dhe ekonominë botërore dhe për nxitësit që shkaktuan ato".

“Politika destruktive e SHBA-së dhe aleatëve të saj tashmë e ka sjellë botën në prag të katastrofës, ka shkaktuar bllokim të zhvillimit social dhe ekonomik dhe ka përkeqësuar seriozisht situatën në vendet më të varfra”, thuhet në kumtesë.

Sipas paralajmërimeve, sekretari shtetëror amerikan Blinken nuk do të takohet as me Lavrovin, as me Çjinin.

Vendi nikoqir India njoftoi se lufta në Ukrainë do të jetë temë e rëndësishme bisede, por se "vëmendja e duhur" do t'i kushtohet gjithashtu çështjeve që lidhen me "ushqimin, energjinë, sigurinë e plehrave dhe ndikimin e konfliktit në sfidat ekonomike me të cilat përballet bota”.

Fotografia: Tuiter

QËNDRONI TË LIDHUR