Luftërat në Iran dhe Ukrainë dhe çmimet e energjisë në agjendën e samitit dyditor të BE-së
- Liderët e Bashkimit Evropian sot dhe nesër do të mblidhen në Bruksel, me pasojat e luftës në Iran në krye të agjendës, si dhe dobësimin e mbështetjes për Ukrainën dhe sfidat ndaj konkurrueshmërisë së Unionit.
Bruksel, 19 mars 2026 (MIA) - Liderët e Bashkimit Evropian sot dhe nesër do të mblidhen në Bruksel, me pasojat e luftës në Iran në krye të agjendës, si dhe dobësimin e mbështetjes për Ukrainën dhe sfidat ndaj konkurrueshmërisë së Unionit.
Shtetet anëtare të BE-së janë me qëndrime të ndryshme për atë se si të zbutin goditjen e faturave të larta të energjisë mbi konsumatorët dhe bizneset, të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit, si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Pesë vende të BE-së në prag të samitit të sotëm bënë thirrje për një theks më të madh në energjinë e rinovueshme si përgjigje të rritjes së çmimeve, ndërsa të tjerë propozuan reforma në skemën për llogaritjen e çmimit të emetimeve të dioksidit të karbonit.
Çmimet e larta të energjisë dhe ndikimi i tyre në konkurrueshmërinë e BE-së ishin një problem për Unionin edhe para fillimit të luftës kundër Iranit, me kërkesa të hapura për uljen e barrierave burokratike dhe investime të mëdha.
Liderët e BE-së do të diskutojnë edhe për luftën në Ukrainë dhe efektet e mundshme të konfliktit në Lindjen e Mesme, me ç'rast përmes video-lidhjes do të bashkohet edhe presidenti ukrainas, Volidimir Zelenski.
Mbështetja e BE-së për Kievin pësoi një goditje muajin e kaluar, kur 27 vendet anëtare të Unionit dështuan të arrijnë konsensus mbi masat e reja të ndihmës. Pakoja e 20-të e sanksioneve kundër Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës dhe një kredi prej 90 miliardë euro për Ukrainën mbeten të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve midis Kievit dhe Budapestit për pezullimin e furnizimeve me naftë përmes tubacionit "Druzhba". ls/
Foto: Arkivi i MIA-s