• e enjte, 26 dhjetor 2024

LSM-ja kërkon uljen e diferencës së pagave mes zyrtarëve dhe punonjësve në sektorin publik, javën e ardhshme grevë e punonjësve në prokurori dhe gjykata

LSM-ja kërkon uljen e diferencës së pagave mes zyrtarëve dhe punonjësve në sektorin publik, javën e ardhshme grevë e punonjësve në prokurori dhe gjykata

Shkup, 19 shtator 2023 (MIA) - Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) apeloi tek deputetët që sa më shpejt dhe “pa betejë politike” të votojnë ribalancimin e buxhetit, me të cilin do të bëhet rishpërndarja e financave për t’u siguruar rritja me 10 për qind për punonjësit në sektorin publik me pagën e shtatorit, për të cilën Kuvendi nis sot diskutimin. Sindikata e Punonjësve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qyetarëve (AOGJSH) sot ka dërguar në Kuvend amendamentin e propozuar për ribalancim me kërkesë që të gjithë përdoruesit buxhetorë të jenë më të larta se së paku 30, e më së shumti 78 për qind, respektivisht aq sa u shtohen zyrtarëve.

Rritja e ardhshme prej 10 për qind për të punësuarit në sektorin publik është në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive (MPK) që LSM-ja nënshkroi me Qeverinë në korrik të këtij viti. Me Marrëveshjen, po ashtu për herë të parë, sigurohet e drejta e kompensimit të pushimit vjetor, të cilën punonjësit në polici, ushtri, shëndetësi, arsim do ta realizojnë me ribalancimin e pritshëm.

Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafilov në një konferencë për media u bëri thirrje ministrave, kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të institucioneve që të aplikojnë MPK-në për sektorin publik, duke qenë se Sindikata ka pranuar raporte nga punëtorët se drejtuesit e tyre nuk po ndërmarrin asnjë veprim në lidhje me dispozitën për rritjen e pagave nga 10 për qind shtesë.

"Të hartohet një zgjidhje për çdo punonjës në sektorin publik me të cilën do ta përcaktojnë këtë të drejtë dhe në këtë mënyrë do ta paguajnë ose nga ana tjetër do të lidhin kontrata kolektive në nivel të punëdhënësve, diçka që kemi bërë në periudhën e kaluar si sindikata të bashkuara në LSM", tha Trendafilov.

Ai po ashtu bëri të ditur se deputetët nuk i janë përgjigjur nismës së LSM-së, të paraqitur më shumë se një muaj më parë, për uljen e pagave të tyre dhe të gjyqtarëve dhe zyrtarëve të emëruar, të cilat janë rritur për 78 për qind. Iniciativa kërkon ndryshimin e Ligjit për Pagat e Zyrtarëve të Zgjedhur dhe të Emëruar, pra aplikimin e MPK-së, me të cilën zyrtarët dhe punonjësit do të kenë të njëjtën mënyrë të llogaritjes së pagave, duke filluar nga marsi i vitit 2025. Është negociuar para nënshkrimit të MPK-së dhe më pas, sipas LSM-së, është pranuar, por që nga korriku zyrtarët "bënë veshin shurdh" ndaj kësaj kërkese.

"Janë të shurdhër, nuk kanë guxim të na kontaktojnë apo të na pyesin për arsyen e nismës së paraqitur. LSM-ja e dorëzoi sepse edhe gjatë negociatave me MPK-në po thoshim atë që po themi sot – punonjësit nuk do të kënaqen me 10 për qind rritje të pagave nëse zyrtarët në mënyrë të pamerituar, pa ndonjë rritje të produktivitetit pas rritjes së pagave, gëzojnë përfitimet e Vendimit të turpshëm të Gjykatës Kushtetuese... Me një rritje kaq selektive, për disa shteti është nënë, për të tjerët njerkë", tha Trendafilov.

Ai paralajmëroi një "vjeshtë të nxehtë" protestash dhe grevash të sindikatave të bashkuara në LSM. Punonjësit e SHA Ujësjellësit, në pronë shtetërore sot po protestojnë para Qeverisë për shkak se nuk paguhen prej dy muajsh.

Kryetari i AOGJSH-së, Tërpe Dejanoski, në konferencë për media njoftoi se më 27 shtator punonjësit e prokurorive publike do të dalin në grevë, ndërsa të nesërmen punëtorët e të gjitha gjykatave në vend do të protestojnë para Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë.

Të dy do të kërkojnë rritje të pagave në të njëjtën masë me zyrtarët e emëruar, pra me 78 për qind, si dhe kthimin e shtesave të pagave që u garantohen me ligj, por që nuk u janë paguar gjysëm viti. Rreth 650 punonjës punojnë në prokurori dhe rreth dy mijë janë në gjykata.

Greva në prokurori do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të punëtorëve, ndërsa gjatë grevës do të bëhet vetëm punë urgjente dhe të domosdoshme, siç e parasheh ligji, tha Dejanoski dhe theksoi se 95 për qind e të punësuarve në organet gjyqësore dhe administratën shtetërore merr më pak nga paga mesatare në vend.

Sindikata e AOGJSH-së, tha ai, sot ka dërguar në Kuvend amendamentin e propozim-ribalancimit të buxhetit me kërkesë që këto institucione, si dhe të gjithë përdoruesit e tjerë të buxhetit, të parashikojnë rritje shtesë të pagave prej së paku 30, dhe më së shumti 78 për qind, respektivisht, aq sa zyrtarët I kanë rritur pagat e tyre.

"Problemet në gjykata dhe prokurori po grumbullohen prej vitesh dhe kanë kulmuar me rritje të pagave të zyrtarëve. Deri në mars të këtij viti, diferenca e pagave në mes të punonjësve dhe zyrtarëve ishte nga një me dy ose nga dy me tre, ndërsa tani diferenca është një me gjashtë me një me shtatë. Kjo situatë është e paqëndrueshme", tha Dejanoski.

Ai tha se pakënaqësia është e madhe edhe në institucionet e tjera të administratës shtetërore dhe se “nën kërcënimin e grevës dhe ndërprerjes së punës” janë edhe punonjësit e Prokurorisë së Shtetit, Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

"I bëjmë thirrje autoriteteve të na thërrasin për negociata, të mos na injorojnë siç bën ministri i Drejtësisë, me të cilin nuk kemi pasur asnjë takim që nga emërimi i tij deri më tani. Shpresojmë që problemet t'i zgjidhim me negociata. Në të kundërtën grevat dhe protestat vetëm sa do të intensifikohen", tha kryetari i AOGJSH-së.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR