• e shtunë, 23 nëntor 2024

LSDM propozon rritje të pagës minimale në 27.700 denarë

LSDM propozon rritje të pagës minimale në 27.700 denarë

Shkup, 21 tetor 2024 (MIA) - Grupi i deputetëve të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë propozon ndryshime dhe plotësime të Ligjit për pagën minimale, me të cilin parashikohet rritja e pagës minimale në 27.700 denarë, informoi sot në Kuvend deputeti dhe lider i LSDM-së Venko Filipçe.

Ai theksoi se rritja e tillë jo vetëm që do të sigurojë stabilitet financiar të punëtorëve, por edhe do të ndikojë në rritjen e pagës mesatare.

"Në kushte të pasigurisë së madhe ekonomike, si opozitë përgjegjëse propozojmë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për pagën minimale. Me ndryshimet parashikojmë paga minimale të rritet në 27.700 denarë, që paraqet rritje prej 12,3 për qind. Me këtë jo vetëm që do të sigurojmë stabilitet financiar të punëtorëve, por do të ndikojmë në rritjen e pagës mesatare, që do të ketë efekt pozitiv ndaj çdo familje në vend. Metodologjia për harmonizimin e pagës minimale me rritjen e shpenzimeve për jetë dhe pagën mesatare mbetet edhe më tutje si pjesë e këtij ligji, me këtë do të sigurojmë rritje të sigurtë dhe të vazhdueshme të të ardhurave të qytetarëve", theksoi Filipçe.

Lideri i LSDM-së opozitare u bëri thirrje të gjtihë deputetëve të heqin dorë nga interesat partiake dhe të japin mbështetje në nismat për rritje të pagës minimale.

"I bëj thirrje Qeverisë dhe të gjithë deputetëve që nuk është koha për të përfaqësuar interesat partiake, por për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Ata i dhanë mandatin deputetëve dhe ata u përgjigjen atyre, jo kryetarit të partisë, prandaj të gjithë deputetët si nga shumica ashtu edhe nga opozita duhet ta mbështesin këtë nismë dhe të ngrihen mbi dallimet politike dhe të votojnë për një standard më të mirë jetese të punëtorëve. Kjo zgjidhje është në interes të të gjithë qytetarëve dhe ne të gjithë kemi përgjegjësi për të siguruar prosperitetin ekonomik të vendit tonë", tha Filipçe.

Paga mesatare në vend, shtoi ai, është ulur për 1000 denarë, ndërsa çmimet e produkteve ushqimore bazë vazhdimisht rriten. Ai theksoi se shporta konsumatore në shtator të vitit 2024 ka arritur 61.306 denarë.

"Shporta e konsumit në shtator 2024 arriti në 61.306 denarë, çmimet e produkteve ushqimore bazë po rriten, ndërsa fuqia blerëse e qytetarëve është ulur ndjeshëm. Sa për t'ju kujtuar, Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja për një periudhë shtatëvjeçare, krijoi politika për rritje konstante të pagave dhe punoi në përmirësimin e dukshëm të standardit jetësor të punëtorëve. Në vitin 2016, paga mesatare mujore neto ishte 22.460 denarë, ndërsa në maj 2024 arriti në 41.252 denarë. Ky është rezultat i politikave të përkushtuara që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së çdo qytetari, veçanërisht të punëtorëve", tha Filipçe.

Ai thotë se rimbursimi i TVSH-së është problem serioz për ekonominë e Maqedonisë, gjegjësisht borxhi i DAP-it ndaj kompanive, i cili sipas tij nuk është paguar për më shumë se tre muaj, ka kaluar 100 milionë euro.

"Qeveria nuk merr masa konkrete për rritjen e pagave dhe në këtë mënyrë i vë punëtorët dhe familjet e tyre në një pozitë shumë të vështirë ekonomike dhe sociale. Problem serioz i ekonomisë së Maqedonisë është rimbursimi i TVSH-së, borxhi i DAP-it ndaj kompanive që nuk është paguar për më shumë se tre muaj dhe kalon mbi 100 milionë euro. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në shtatë vitet e fundit", theksoi Filipçe. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR