• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

LSDM e mban Kongresin e 29-të, ku do të shqyrtohen rezultatet zgjedhore

LSDM e mban Kongresin e 29-të, ku do të shqyrtohen rezultatet zgjedhore

Shkup, 9 qershor 2024 (MIA) - Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) sot e mban Kongresin e 29-të, ku, sipas Statutit, udhëheqësia partiake do të japë llogari për rezultatet zgjedhore.

Kryetari i i deritanishëm i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski para fillimit të Kongresit theksoi se delegatët do të prononcohen për besimin në organet e partisë, të cilat i zgjedh Kongresi dhe ku delegatët do të mund të bisedojnë për të gjitha çështjet e lidhura me zgjedhjet, por edhe për punën e partisë në periudhën e kaluar katërvjeçare.

Kovaçevski pret që Kongresi i sotëm të jetë i suksesshëm dhe nga ai, siç tha, LSDM-ja të dalë më e fuqishme, më e bashkuar dhe të hyjë në procesin e finalizimit të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe udhëheqësisë së re.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse pret sulme të drejtpërdrejta nga anëtarët e partisë për udhëheqjen e partisë dhe humbjen që partia e ka përjetuar në zgjedhje, Kovaçevski tha se pret debat të hapur për të gjitha çështjet që kanë ndikuar në rezultatet zgjedhore.

"Atë që desha ta them, e thash edhe më 8 maj edhe në ditën kur zyrtarisht jam tërhequr nga funksioni kryetar i LSDM-së më 22 maj. Pres debat të hapur dhe të bisedohet në mënyrë konstruktive dhe të hapur për të gjitha çështjet që kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor në këto zgjedhje, por edhe në zgjedhjet në vitin 2021, pasi atëherë nuk është mbajtur Kongres për llogaridhënie. Delegatët do të kenë për çka të bisedojnë", tha ai.

Siç theksoi Kovaçevski, në Kongres pritet që ekspoze të tyre të kenë anëtarët e udhëheqësisë, Forumit të grave dhe anëtarë tjerë të udhëheqësisë.

Nënkryetari i deritanishëm i LSDM-së, Fatmir Bytyqi vlerëson se Kongresi i sotëm është pikë e kthesës së partisë.

"Atë që duhet ta bëjë çdo parti demokratike pas zgjehdjeve është që hapur dhe në mënyrë transparente të flitet për rezultatin zgjedhor, për të gjitha gjendjet para zgjedhjeve dhe si më tej në periudhën e ardhshme, posaçërisht pasi na pret një periudhë e periudhës brendapartiake. Vlerësoj se është pika e kthesës në parti dhe për këtë shkak është shumë e rëndësishme dita për mua", tha Bytyqi.

Në pyetjen se çfarë lideri meriton LSDM-ja pas humbjes, Bytyqi me përgjigje të shkurtër - fitues.

Kryetari i deritanishëm i partisë, Dimitar Kovaçevski, pas humbjes zgjedhore, në seancën e Bordit Ekzekutiv të partisë të mbajtur më 22 maj, zyrtarisht ka konfirmuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM-së dhe ka kërkuar mbajtjen e kongresit dhe organizimin e zgjedhjeve të brendshme partiake.

"Kovaçevski e konfirmoi tërheqjen në seancën e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, të cilën e paralajmëroi më 8 maj, si akt shumë moral dhe në përputhje me Statutin e partisë, inicoi mbajtjen e kongresit me qëllim të analizimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe deklarim për besimin në organet e partisë, të zgjedhura nga Kongresi, duke marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve, njoftoi atëherë LSDM.

Ndërkohë, më 6 qershor ka përfunduar afati për kandidim për kryetar të LSDM-së. Në periudhën nga 31 maji deri më 6 qershor, afat i caktuar për kandidim, kandidatura për kryetar partie kanë dorëzuar ish-ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski dhe zëvendësministri aktual për shoqërinë informatike dhe administratën në qeverinë teknike, Aleksandar Bajdevski.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda partisë për kryetarin e ri të LSDM-së do të mbahen më 30 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me 80 komisione komunale zgjedhore dhe borde të vendvotimeve në nivel lokal. Të gjithë anëtarët e LSDM-së që regjistrohen në mënyrë aktive do të kenë mundësi të votojnë.

Afati për regjistrim aktiv është zgjatur në 20 ditë. Anëtarët do të mund të regjistrohen përmes dy opsioneve, përmes veglës onlajn për regjistrim aktiv që do të jetë në dispozicion në faqen e LSDM-së të hënën (06.03.2024) ose opsionit të dytë përmes organizatave komunale të LSDM-së.

Bordi qendror i partisë propozoi edhe ndryshime në Statutin e partisë në mënyrë që mandati i kryetarit të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme brendapartiake të jetë katërvjeçar. bsh/ls/

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR