• e diel, 24 nëntor 2024

LSDM dhe koalicioni dorëzuan ndryshime për gjashtë ligje që të pengohet rritja e pagave të funksionarëve

LSDM dhe koalicioni dorëzuan ndryshime për gjashtë ligje që të pengohet rritja e pagave të funksionarëve

Shkup, 27 shkurt 2024 (MIA) - Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit kanë dorëzuar ndryshime për gjashtë ligje për siç thonë ata, "të pengohet rritja e pagave të funksionarëve". Deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski në konferencën e sotme për media bëri të ditur se me këto ndryshime ligjore do të përfshihen rreth 1.060 persona të emëruar dhe të zgjedhur.

"Deputetët e LSDM-së dhe koalicionit kanë dorëzuar ndryshime për gjashtë ligje - Ligjin për pagat dhe kompensimet tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, Ligjin për deputetë, Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publik, Ligjin për pagat e gjyqtarëve, Ligjin për pagat e prokurorëve publik dhe Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, të gjithë në procedurë të shkurtuar. Me faktin se Gjykata Kushtetuese hoqi bazën fikse kjo është e vetmja zgjidhje kushtetuese. Potencoj deputetë, ministra, kryetarë të komunave, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë, të gjithë të zgjedhurit dhe të emëruarit ose rreth 1060 persona janë të përfshirë në këto ndryshime ligjore. Për ta nuk do të ketë rritje të pagave”, ka thënë Kostovski.

Shtoi se koeficientët e pagave të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar hëpërhë mbeten në të njëjtin nivel.

Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit presin mbështetje nga të gjithë deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

"Të gjithë të tregojmë solidaritet dhe të përkrahim këto ndryshime ligjore, ndërsa paratë në vend të pagave më të mëdha për funksionarët të përfundojnë tek qytetarët", ka thënë deputeti Kostovski.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR