• e shtunë, 23 nëntor 2024

Llorkovski për MIA-n: Maqedonia e Veriut nga mesi i rrugës drejt integrimit të plotë energjetik me BE-në, nevojitet strategji për dekarbonizim

Llorkovski për MIA-n: Maqedonia e Veriut nga mesi i rrugës drejt integrimit të plotë energjetik me BE-në, nevojitet strategji për dekarbonizim

Shkup, 9 korrik 2024 (MIA) – Maqedonia e Veriut është në mes të rrugës drejt integrimit të plotë energjetik me BE-në. Pika jonë e fortë është sektori i energjisë elektrike, por nevojiten përmirësime në fushën e gazit dhe dekarbonizimit dhe këto janë dy elementë që kërkojnë më shumë përpjekje. Qeveria pritet të dorëzojë në Sekretariat një strategji të vitit 2030 dhe të sqarojë se cila do të jetë strategjia e dekarbonizimit, cili është kapaciteti i burimeve të ripërtërishme, cili është vizioni për integrimin e tregut rajonal, cilat janë objektet e ardhshme të prodhimit me bazë thëngjilli. Këto janë disa nga porositë që në intervistën për MIA-n i dërgoi drejtori i Sekretariatit të Bashkësisë Energjetike, Artur Llorkovski. 

Nga 1 janari i vitit 2026, çdo emetim që është pjesë e energjisë elektrike, çelikut, qelqit, çimentos, aluminit, hidrogjenit të eksportuar në BE duhet t'i nënshtrohet tatimit të karbonit. Nëse vendi dëshiron të përjashtohet nga kjo, do të duhet të bëjë një bashkim të tregut deri në fund të vitit 2025 dhe, siç theksoi Llorkovski, qeveria duhet të zotohet të krijojë mekanizmin e tregtimit të karbonit në vend deri në vitin 2030. Kjo, shtoi Drejtori i Bashkësisë Energjetike, kërkon përditësimin e legjislacionit.

Në intervistën me MIA-n, ai veçon katër leksione kryesore të nxjerra nga kriza energjetike në dy vitet e fundit - më e lira është energjia që nuk është përdorur, që do të thotë se duhet të përpiqemi për efikasitet energjetik në mënyrë që të mund të zvogëlojmë konsumin e energjisë elektrike, me të gjitha mjetet e mundshme, pastaj të investojmë në burime të ripërtërishme që kanë dëshmuar se janë burim efektiv i energjisë dhe që duhet të mbrojmë konsumatorët e rrezikuar. 

Për mënyrën se si të shmanget rënie e madhe e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në rajon, siç është më 21 qershor të këtij viti, ai përshkroi tre hapa që u diskutuan në takimin ministror joformal të Bashkësisë Energjetike javën e kaluar në Banja Llukë - bashkëpunimi më i ngushtë midis operatorëve të sistemit të transmetimit, integrimi më i madh i tregut rajonal dhe zhvillimi i infrastrukturës ndërkufitare. 

I pyetur se cili është vizioni i tij për dhjetë vitet e ardhshme dhe si vendi mund të pozicionohet më mirë, Llorkovski tha se vizioni i tij është që të gjitha palët kontraktuese të Bashkësisë Energjetike të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe se Sekretariati i bashkësisë Energjetike, i cili na përgatit për anëtarësim të plotë, nuk do të jetë i nevojshëm.

Lidhur me qëndrimin tonë në rrugën e integrimit evropian energjetik, Llorkovski shprehet se Maqedonia e Veriut është në mes - ne kemi bërë gjysmën e punës në përpjekjet për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian në fushën e energjetikës dhe klimës, ndërsa përpara nesh është gjysma tjetër që duhet përmbushur. 

"Mendoj se ky është mesazh i mirë sepse ju po bëni përparim, por ka ende shumë për të bërë para se të bëheni anëtare e BE-së. Pika juaj e fortë është energjia elektrike dhe shumë gjëra kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut në këtë sektor, por nevojiten përmirësime në fushën e gazit dhe dekarbonizimit dhe këto janë dy elemente që kërkojnë më shumë përpjekje. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu – të dakordojmë program pune me Qeverinë e re dhe Parlamentin për muajt dhe vitet e ardhshme për të arritur këtë përparim në të ardhmen", shprehet Llorkovski.

Bashkësia Energjetike , sqaron Llorkovski, ofron një mënyrë për integrim të përshpejtuar në tregun evropian të energjisë elektrike, madje para se të bëhet anëtare e plotë, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera në rajon mund të bëhen pjesë e tregut të vetëm evropian të energjisë elektrike, në mënyrë që të përfitojnë nga tregu më i madh dhe më i pajisur në botë. 

"Që kjo të ndodhë, ju duhet të harmonizoni legjislacionin dhe të ofroni të njëjtat kushte për operatorët e tregut si ata në BE. Pasi ta bëni këtë, ju mund të bashkoheni në "bashkimin e tregut" me BE-në, respektivisht një formë integrimi që lejon që kompanitë tuaja të trajtohen në të njëjtën mënyrë si të gjitha kompanitë tjera të BE-së. Kjo kërkon përditësimin e legjislacionit, draft-ligji është përgatitur nga qeveria paraprake, por puna është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve, kështu që tani është koha për të përshpejtuar punën për përfshirjen sa më të shpejtë të mundshme në tregun e brendshëm të energjisë elektrike të BE-së", tha Llorkovski.

Për Llorkovskin, krijimi i Ministrisë së re të Energjetikës paraqet angazhim për përfshirje më të shpejtë në tregun e energjisë elektrike të BE-së.

"Kjo më jep shpresë se procesi i punës së përshpejtuar është i mundur për shkak të faktit se Qeveria do të kishte jo vetëm një ministër kompetent, por gjithashtu një grup kompetent njerëzish që do të punonin në çështjet e lidhura me energjetikën", thekson Llorkovski. 

Mekanizmi i përshtatjes së pragut të karbonit, drejtori i Bashkësisë Energjetike, thekson se është politikë e BE-së që inkurajon të tjerët të ndjekin agjendën klimatike të Bashkimit dhe nuk është politikë që ka për qëllim vetëm Maqedoninë e Veriut ose Ballkanin Perëndimor, por është politikë përmes së cilës partnerët kryesorë tregtarë të BE-së si SHBA-ja, Kina, Amerika e Jugut dhe Afrika pritet të ndjekin mënyrën se si Bashkimi zbaton politikat klimatike. 

"Mekanizmi do të fillojë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2026 dhe kjo do të thotë që çdo emetim që është pjesë e energjisë elektrike, çelikut, qelqit, çimentos, aluminit, hidrogjenit që eksportohet në BE duhet t 'i nënshtrohet tatimimit të karbonit. Megjithatë, ekziston një përjashtim për energjinë elektrike, nëse plotësohen dy kushte: e para është që bashkimi i tregut duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2025, në mënyrë që të arrihet forma më e lartë e integrimit në tregun e energjisë elektrike deri në fund të atij viti, dhe e dyta është që Qeveria të zotohet të krijojë mekanizmin e tregtimit të karbonit në vend deri në vitin 2030. Aktualisht po punojmë për dinamizimin e punës për përmbushjen e këtyre dy kushteve, në mënyrë që ju të përjashtoheni në sektorin e energjisë elektrike", deklaroi Llorkovski.

Ai sqaron se tani po diskutojmë për energjinë elektrike të eksportuar në Bashkimin Evropian, dhe se si, pas vitit 2030, të kemi një përjashtim të përkohshëm nga pagesa e këtij tatimi në mënyrë që eksporti i energjisë elektrike të mund të vazhdojë, për shembull, nga Maqedonia e Veriut në vendet anëtare fqinje të BE-së, për shembull Greqi, në të njëjtat kushte. 

"Nëse kjo nuk është e mundur, eksportet tuaja në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, eksportet tuaja të energjisë elektrike, do të jenë më pak konkurruese. Kjo sigurisht do të kishte pasoja për prodhuesit e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut. Pra, tani nuk diskutojmë se si të tatimojmë konsumin e energjisë elektrike në vend", sqaron Llorkovski.

Nëse prodhimi i çimentos, energjisë elektrike, qelqit, aluminit... bazohet në burime të ripërtërishme, nuk do të paguani asnjë tatim, thekson Llorkovski dhe shton se tatimi do të paguhet vetëm në kufi me Bashkimin Evropian, në rast se prodhimi bazohet në thëngjill dhe linjit, teknologjia dhe karburanti i përdorur nuk është i pastër, nuk është ekologjik.

Gazetar: Aleksandar Atanasov

Video: Andrej Brankoviq

foto: Frosina Naskoviq

QËNDRONI TË LIDHUR