• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lloga: Pjesa gjyqësore në Turqi për ekstradimin e Palços ka përfunduar, mbetet vetëm ajo administrative

Lloga: Pjesa gjyqësore në Turqi për ekstradimin e Palços ka përfunduar, mbetet vetëm ajo administrative

Shkup, 15 mars 2024 (MIA) - Gjatë vizitës sonë zyrtare në Turqi na është thënë se pjesa gjyqësore në lidhje me ekstradimin e Lupço Palevskit- Palço tek ta ka përfunduar dhe ka mbetur vetëm pjesa administrative. Sipas rregullave të tyre, fillimisht duhet atje të nënshkruhet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe më pas nga ministri i Drejtësisë, deklaroi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga.

Në deklaratën për media pas hapjes së konferencës së sotme ndërkombëtare “Mbrojtja kushtetuese-gjyqësore e lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes publike të mendimit”, ministri Lloga informoi se sipas fjalëve të kolegut të tij, ministrit të Drejtësisë nga Turqia, pret që ekstradimi të ndodhë së shpejti.

“Na kanë dhënë një afat, por nuk dua të jap detaje të tilla, sepse kjo varet nga ata, jo nga ne”, tha ministri.

Lidhur me pyetjen nëse është kërkuar ndonjë gjë shtesë nga vendi ynë në lidhje me këtë rast, ai është përgjigjur se nuk ka komunikim tjetër.

"Nuk ka komunikim tjetër zyrtar përveç se të gjitha gjërat tashmë janë mbyllur, sepse të gjitha procedurat janë në kohë. Jozyrtarisht kemi komunikuar dhe sot kemi kërkuar informacione shtesë se kur do të bëhet dorëzimi", ka thënë Lloga.

Lupço Palevski Palço më shumë se tre muaj është në burg ekstradues në Turqi. Ai dyshohet për dy vepra penale “rrëmbim” dhe “vrasje në mënyrë brutale” të të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi.

Për bashkëpunim në rastin akuzohen edhe Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Bore Videvski të cilët ndodhen në paraburgim në Shkup. Në paraburgim është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski i cili dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin.

Me masa kujdesi për këtë rast është edhe Stefan Dimovski, shoferi i të dyshuarit të parë për vrasjen e dyfishtë të Vanjës dhe Pançes i cili dyshohet se ka ndihmuar në arratisjen.

QËNDRONI TË LIDHUR