• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Lloga në Gjevgjeli në takim me kryetarin e komunës Saramandov dhe kryetaren e Gjykatës Themelore, Avramçeva Zafirova

Lloga në Gjevgjeli në takim me kryetarin e komunës  Saramandov dhe kryetaren e Gjykatës Themelore, Avramçeva Zafirova

Shkup, 28 korrik 2023 (MIA) - Me qëllim të informimit të qytetarëve për ndihmën juridike falas dhe për shfrytëzim dhe qasje më të mirë në këto shërbime, sot ministri i Drejtësisë Krenar LLoga mori pjesë në promovimin publik të kësaj ndihme në Gjevgjeli.

Siç njofton Ministria e Drejtësisë, në takim me kryetarin e Komunës së Gjevgjelisë, Andon Saramandov, ministri LLoga diskutoi për rolin e rëndësishëm të pushtetit lokal në arritjen e synimeve tona të përbashkëta, siç janë bashkëpunimi në realizimin e ndihmës juridike falas dhe nevojat e komunës për mbështetje nga Ministria e Drejtësisë, me të vetmin qëllim, thuhet në kumtesë, t'i shërbejmë me sukses qytetarëve, të përmbushim nevojat e tyre dhe detyrimet tona.

Ndër të tjera, kryetari theksoi nevojën për forcimin e kapaciteteve të Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Juridike në Gjevgjeli, e cila përballet me 5000 lëndë të pazgjidhura, si dhe mungesën e një gjeodeti në Agjencinë për Kadastrën e Patundshmërive.

"Ky aktivitet është pjesë e një sërë aktivitetesh për ngritjen e vetëdijes, të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, të cilat do të zhvillohen në rajone të ndryshme të vendit, me qëllim të nxitjes së përdorimit të ndihmës juridike falas, me vëmendje të veçantë në kategoritë e cenueshme", sqarojnë nga MD. 

Reformat në drejtësi, duke theksuar vërejtjet e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë dhe të organizatave joqeveritare, si dhe të gjitha sfidat e tjera, ishin temat kryesore që diskutuan në takimin e sotëm të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, me kryetaren e Gjykatës Themelore Gjevgjeli, Marica Avramçeva Zafirova.

"Kryetarja e Gjykatës Themelore ka informuar edhe për aktivitetet që ndërmerren me qëllim të përmirësimit dhe sigurimit të procedurave të drejta dhe efikase për mbrojtjen e të drejtave të të huajve pa dokumente në procedurë gjyqësore, për çka Gjykata Themelore e Gjevgjelisë ka themeluar një partneritet për bashkëpunim me UNHCR-në në bazë të të cilit është hartuar Plani i Veprimit për bashkëpunim dhe aktivitete. Është në proces përgatitja e Manualit për trajtimin e të huajve pa dokumente", njoftoi Ministria e Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë shton se angazhimi i tyre mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve tek gjyqësori, si dhe sigurimi i një gjyqësori të drejtë dhe të pavarur. sa/

Foto: Ministria e Drejtësisë 

QËNDRONI TË LIDHUR