• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Lloga: Më vjen keq që u lejua të vjetërsohet edhe një lëndë, "Titanik 2”, edhe atë për të pandehurin e njëjtë, të ndërmerren urgjent reforma

Lloga: Më vjen keq që u lejua të vjetërsohet edhe një lëndë,

Shkup, 30 mars 2023 (MIA) - Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në reagim për rastin "Titanik 2", shpreh keqardhjen, siç thekson, që i është lejuar vjetërsimi i një rasti tjetër edhe atë për njëjtin të pandehur dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që urgjentisht të marrin masa për reforma të shpejta.

Lloga theksoi se menjëherë pas marrjes së detyrës së ministrit të Drejtësisë, i dërgova korrespondencë Këshillit Gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe Prokurorisë Publike më 14 mars 2023, ku paralajmërova dhe kërkova të ndërmerren masa më efektive dhe  në kohë për të parandaluar situata të tilla dhe të ngjashme të vjetërsimit të lëndëve gjyqësore përmes zvarritjes së proceseve gjyqësore. 

"Më vjen keq që u lejua të përfundonte një rast tjetër, “Titanik 2” dhe atë për të njëjtin të pandehur. Pavarësisht zotimit tim për të mos ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit, jam i detyruar të reagoj, t'u bëj thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që urgjentisht të marrin masa për reforma të shpejta. Raste të tilla nuk kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë, por përkundrazi, me dëmet që do të shkaktojnë edhe më shumë do të cenojnë besimin e qytetarëve në të gjithë sistemin", theksoi Lloga në reagim.

Gjykata e Apelit në Shkup e shtyu seancën për “Titanik 2” për 13 prill për shkak të mungesës së disa të akuzuarve, të ftuar në mënyrë jo të rregullt.
 
Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit për ankesat pas aktgjykimit të shkallës së parë për procedurën e përsëritur për rastin “Titanik 2”, të pranishëm ishin vetëm Sasho Mijalkov dhe Bedredin Ibraimi, të cilët thanë se nuk ka marrë ftesë, por e kanë kuptuar dhe kanë ardhë në seancë.
 
Më 23 janar të këtij viti, Gjykata Themelore Penale i shpalli fajtorë dhe u shqiptoi dënim prej 12 vite burg të pandehurit në procedurën e përsëritur për rastin “Titanik 2”, i cili i referohet parregullsive zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Komunën e Strumicës.

Ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, për veprën penale “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, gjykata e ka dënuar me dy vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim. Vepra penale e Mijalkovit “marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” vjetërsohet në fillim të prillit.

Liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin, për veprën penale “shkelje e të drejtës së votës”, gjykata e dënoi me dënim me burg prej dy vitesh.

Ish-anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Srcev, janë dënuar nga gjykata me dy vjet burg për veprën penale “shkelje e të drejtës së votës”.

Më 8 mars 2019, Gjykata Themelore penale në Shkup i dënoi të akuzuarit në rastin “Titanik 2” me gjithsej 19 vjet e tetë muaj burg, por Gjykata e Apelit Shkup në nëntor 2019 për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës, aktgjykimin e shkallës së parë e anuloi dhe lëndën e ktheu në rishqyrtim. mb/

Foto: Arkivini i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR