• e mërkurë, 17 korrik 2024

Lloga: Arsimimi i ekspertëve dhe shkëmbimi i përvojave janë hap i rëndësishëm në luftimin e krimit kompjuterik

Lloga: Arsimimi i ekspertëve dhe shkëmbimi i përvojave janë hap i rëndësishëm në luftimin e krimit kompjuterik

Shkup, 22 maj 2023 (MIA) - Siguria kibernetike mund të realizohet vetëm nëse ekzistojnë në dispozicion kapacitete efektive dhe efikase për sigurinë kibernetike, por edhe në qoftë se punohet në parandalimin. Përvoja është praktika më e mirë. Arsimimi i ekspertëve dhe shkëmbimi i përvojave, janë hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit kompjuterik, theksoi sot ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Siç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, duke folur në panelin e diskutimit në temën "Krimi Kibernetik-Kërcënim i Sigurisë në Evropën Juglindore dhe Rëndësia e Bashkëpunimit" në Samitin e Krimit Kibernetik të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Shibenik nga data 21 deri më 23 maj, ministri Lloga porositi se është e nevojshme që çdo vend të sigurojë një mjedis digjital të sigurtë, të besueshëm dhe rezistent, si dhe se kërcënimet kibernetike dhe sulmet po bëhen më të shpeshta, më të sofistikuara dhe po shkaktojnë pasoja gjithnjë e më të dëmshme.

"Jetojmë në një kohë të rritjes së madhe të numrit të përdoruesve të internetit dhe ТIК-ut, një numër më të madh të shërbimeve elektronike dhe aplikacioneve të qasshme dhe efektive, numri i të cilave është drejtpërdrejtë proporcional me rreziqet dhe sulmet e reja kibernetike. Numri i rasteve ku ky krim vështirë zbulohet është i madh, ndërsa dëshmitë edhe më vështirë sigurohen dhe në disa raste është e pamundur që në mënyrë efektive të zbatohet procedura penale dhe autorët të vihen para ligjit dhe të sankcionohen në pajtueshmëri me rrethanat”, tha Lloga.

Siç bëri të ditur Ministria e Drejtësisë, në lidhje me aktivitetet të cilat i ndërmerr Qeveria, ministri informoi se vendi u bë anëtari i 103-të në Forumin Global të Ekspertizës Kibernetike, një nga rrjetet më të mëdha botërore për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndërtim të kapaciteteve për sigurinë kibernetike. 

Samiti u organizua nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Administratës Publike të Republikës së Kroacisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në të morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të Evropës Juglindore dhe SHBA-së. fc/

Fotografia: Ministria e Drejtësisë

QËNDRONI TË LIDHUR