Lideri i "Rilindjes" Kostadinov kërkon bashkimin e Maqedonisë dhe Besarabisë Jugore me Bullgarinë
- Lideri i partisë ultranacionaliste dhe ekstremit të djathtë "Rilindja" të Bullgarisë, Kostadin Kostadinov i ka bërë thirrje qeverisë në Sofje që zyrtarisht të shpallë pretendimet për bashkimin e Maqedonisë dhe rajonit ukrainas të Besarabisë Jugore me Bullgarinë.
- Post By Fami Bajrami
- 12:14, 9 janar, 2025
Sofje, 9 janar 2025 (MIA) - Lideri i partisë ultranacionaliste dhe ekstremit të djathtë "Rilindja" të Bullgarisë, Kostadin Kostadinov i ka bërë thirrje qeverisë në Sofje që zyrtarisht të shpallë pretendimet për bashkimin e Maqedonisë dhe rajonit ukrainas të Besarabisë Jugore me Bullgarinë.
Në një postim në rrjetin social Fejsbuk, Kostadinov ka mbështetur deklaratat e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp për Kanadanë dhe Kanalin e Panamasë dhe thekson se Sofja duhet të dalë publikisht edhe me kërkesë për aneksimin e Maqedonisë dhe Besarabisë Jugore me Bullgarinë.
“Pretendimet e Trampit kundër Kanadasë janë plotësisht të arsyeshme. Nuk ka asgjë më të logjikshme dhe normale se sa dy vende me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe në një masë të madhe i njëjti popull, siç është SHBA dhe Kanadaja të bëhen një vend. E njëjta gjë vlen edhe për pretendimet e Trampit për Kanalin e Panamasë. Fundja SHBA është pronari fillestar i tokës së kanalit, ata e ndërtuan dhe e poseduan atë deri në vitin 1979. Prandaj “Rilindja” mbështet plotësisht pretendimet e presidentit të sapozgjedhur amerikan.
E njëjtë është situata edhe me Maqedoninë. Nuk ka asgjë më të logjikshme se sa dy vende me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe popull të bëhen një vend. Rasti i ngjashëm është edhe me Besarabinë Jugore. Ajo është pjesë e shtetit bullgar për mbi 450 vjet, bullgarët janë popullsi autoktone në këtë zonë (që nga shekulli i 6-të) dhe sot e kësaj dite përbëjnë shumicën e popullsisë. Për krahasim, Ukraina posedon Besarabinë Jugore për vetëm 34 vjet.
Prandaj, nuk ka asgjë më të logjikshme se bashkimi i Bullgarisë dhe Maqedonisë në një shtet të përbashkët, si dhe kthimi i Besarabisë Jugore në Bullgari. Ukraina po shpërbëhet dhe në Kongresin e ardhshëm paqësor që do të vendosë për fatin e të ashq. "shtetësisë së dështuar ukrainase", Bullgaria duhet të konfirmojë pretendimet e saj ndaj Besarabisë bullgare”, shkruan Kostadinovi në rrjetin social në Fejsbuk.
Partia "Rilindja" e Kostadinovit në zgjedhjet e fundit parlamentare në Bullgari mori 12.92 për qind të votave dhe 35 vende deputetësh duke u bërë forca e tretë politike në parlamentin bullgar prej 240 anëtarësh.
Foto: MIA/printskrin