• e enjte, 26 dhjetor 2024

Leta: "Integrim gradual" mund të jetë rruga e duhur në zgjerimin e BE-së

Leta:

Bruksel, 17 prill 2024 (MIA) - Gjatë zgjerimit të BE-së, fokusi nuk duhet të orientohet vetëm ndaj vetë procesit, por edhe ndaj  zbatimit të tij të vëmendshëm dhe më konkretisht në "metodat dhe kohën" e pranimit të anëtareve të reja, theksohet në Raportin për të ardhmen e tregut të vetëm evropian që nesër para liderëve të Unionit do ta prezantojë kryetari i Institutit "Zhak Delor" dhe ish-kryeminisri italian Enriko Leta.

Në dokument, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, theksohet se ideja për "integrim gradual" të anëtareve të ardhshme mund të jetë rruga e duhur në procesin e zgjerimit të BE-së.

"Strategjia e re duhet t'i japë përparësi fushave ku mund të arrihet gatishmëria në një fazë të hershme, duke u lejuar vendeve kandidate të përfitojnë nga elementë specifikë të tregut të vetëm përpara pranimit të plotë, shumë më tepër se çfarë ofrojnë tani marrëveshjet e asocimit", theksohet në dokument.

Megjithatë, sipas Letës, ky proces duhet të shoqërohet me “elementë të rëndësishëm politikë” dhe të gjendet një qasje e nuancuar, e cila do të lehtësojë përdorimin gradual, por domethënës të përfitimeve të tregut të përbashkët për vendet kandidate, duke mbrojtur në të njëjtën kohë stabilitetin dhe ekonomitë e tyre dhe tregun e vetëm.

Parakusht për integrimin gradual të vendeve-kandidate në tregun e vetëm, sipas raportit, duhet të jetë respektimi i plotë i kriterit të parë nga kriteret e Kopengahës, gjegjësisht përkushtimi i vlerava dhe standardeve demokratike dhe sundimit të drejtësisë. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR