• e enjte, 26 dhjetor 2024

LD: “Drislla” është problem publik, ekologjik dhe shëndetësor

LD: “Drislla” është problem publik, ekologjik dhe shëndetësor

Shkup, 29 gusht 2023

Deponia Drislla, paraqet problem publik, ambiental dhe shëndetësor. Drislla tashmë 30 vite funksionon pa përmbushur kriteret e duhura ekologjike, konform Ligjit për Mbrojtje dhe avancim  të ambientit jetësor dhe Ligjit për menaxhim me mbeturinat, e mos të flasim për standardet evropiane bashkëkohore.

Thjeshtë këtu kemi një deponi primitive, një sipërfaqe apo gropë të madhe prej 76 hektarësh ku në vit hedhen dhe mbulohen me dhe rreth 200.000 tonë mbeturina komunale, industriale, mbeturina medicinale edhe mbeturina tjera me rrezik të lartë infektues e kancerogjen.

Kjo e bën Deponinë Drislla  vërtet një bombë ekologjike. Pra, këtu kemi ndotje permanente të tokës, ujit dhe ajrit , fakte këto që janë vërtetuar edhe nga Inspektorati shtetërorë i mjedisit jetësorë. Kjo gjendje vazhdimisht rrezikon dhe dëmton rëndë shëndetin e mbi 50.000 banorëve të f. Batincë (që gjendet në afërsi prej 500 metrave) dhe vendbanimeve tjera në rajonin e Karshiakës, lagjes Draçevë e më gjërë.

Njëkohësisht emetimi i gazrave helmues (CO, SO2 etj.)  që dalin nga djegia e mbeturinave medicinale  sigurisht ndikon edhe në nivelin e lartë të ndotjes së ajrit jo vetëm në Batincë por edhe më gjerë në Qytetin e Shkupit me rrethinë. 
Për pasojë në këto vendbanime kemi rritje të incidencës së sëmundjeve kancerogjene dhe sëmundjeve kronike respiratore, në shumicën e rasteve me pasoja fatale për jetën e banorëve lokal.

Përfundimisht  banorët lokal të Batincës- Komunës së Studeniçanit, në vend se të shijojnë benefitet që u janë premtuar në fillim të viteve të 90-ta kur është instaluar Deponia Drislla, përkundrazi pëlqimin që e dhanë për deponinë atëherë e paguajnë me shëndet e me jetë sot.

Mos të harrojmë se resori i mjedisit jetësorë (ministria e Ekologjisë) nga viti 2008 e këndej (deri sivjet 2023) është udhëhequr nga kuadro të partisë në pushtet (pra BDI-së), të cilët, përkundër faktit se kanë pasur obligim kushtetues, ligjor e moral, nuk kanë bërë asgjë për ta parandaluar këtë katastrofë ekologjike.

Përgjegjësi të madhe për këtë gjendje ka edhe Qyteti i Shkupit i cili nga viti 2012, duke proklamuar projekte me partneritet publiko-privat, ka premtuar investime milionëshe për modernizim të Deponisë Drislla. Por, përveç dyshimeve serioze për biznes milionësh me mbeturina në Drislla, deri më sot nuk ka asgjë nga këto projekte.

Ne konsiderojmë se zgjidhje e vetme afatgjate është modernizimi i Deponisë Drislla, ndërtimi i fabrikës për selektim, përpunim dhe reciklim të mbeturinave, si dhe sistem për trajtim adekuat të mbeturinave medicinale, stacion filtrimi për ekstraktin helmues dhe stacion matës-sistem monitorimi për ndotjen e ajrit.

Lëvizja Demokratike

___________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR