• e shtunë, 23 nëntor 2024

Lavrov: Kina dhe Rusia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit

Lavrov: Kina dhe Rusia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit

Pekin, 9 prill 2024 (MIA) - Rusia dhe Kina do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit në kuadër të marrëdhënieve gjithnjë e më të fuqishme, deklaroi sot në Pekin shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov pas bisedimeve me homologun e tij kinez Vang Ji. 

"E falënderoj palën kineze për mbështetjen e tyre në luftën e Rusisë kundër terrorizmit", raportuan agjencitë ruse të lajmeve fjalët e Lavrovit. 

Grupi xhihadist i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në një sallë koncertesh pranë Moskës që vrau të paktën 144 njerëz, por Rusia pa asnjë provë beson se Ukraina qëndron pas sulmit.

"Bashkëpunimi ynë në luftën kundër terrorizmit do të vazhdojë, duke përfshirë edhe institucionet shumëpalëshe", tha Lavrovi gjatë vizitës së tij zyrtare në Pekin.

Në shkurt të vitit 2022, disa ditë para invazionit rus në Ukrainë, Moska dhe Pekini njoftuan partneritet "pa kufi" dhe që atëherë mbajnë lidhje të fuqishme. 

Lavrovi falënderoi sot Kinën për dërgimin e një grupi vëzhguesish në zgjedhjet presidenciale të Rusisë në mars ku presidenti Vlladimir Putin siguroi fitore bindëse.

"Falë liderëve tanë, marrëdhëniet ruso-kineze të partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik kanë arritur një nivel të paprecedentë", tha Lavrov, duke shtuar se rizgjedhja e Putinit garanton forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Lavrovi dhe Vang diskutuan gjithashtu sigurinë në rajonin e Azisë dhe Paqësorit dhe luftën në Ukrainë. qa/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR