• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Lëvizja Demokratike: Alarmante, Pollogu rekord rajonal për ikjen e të rinjve

Lëvizja Demokratike: Alarmante, Pollogu rekord rajonal për ikjen e të rinjve

Shkup, 20 dhjetor 2023

Të tmerrshme dhe të pabesueshme janë të dhënat më të reja për  ikjen e qytetarëve dhe sidomos të rinjve nga vendlindja. Sot Pajtim Osmani i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, ka publikuar statistika tejet shqetësuese për emigracionin e të rinjve deri në moshën 35 vjeç në 20 vitet e fundit, për indeksin 1000 banorë.

"Nga Mali i Zi nga 1000 të rinj, kanë emigruar 92, nga Kroacia 215, nga Serbia 283, nga Shqipëria 290, nga BeH 291 dhe ndërsa nga Maqedonia 402 të rinj. Por ajo që duhet veçuar është fakti se rekordin absolut evropian e mban rajoni veriperëndimor i Maqedonisë, ku ikja është 603 të rinj, kurse në këtë rajon dihet se dominojnë shqiptarët’ thotë Osmani.

Ai si shkaqe për ikjen masive të të rinjve përmend lodhjen nga premtimet e kota, mashtrimet dhe gënjeshtrat e politikanëve, nepotizmi dhe partizimi, korrupsioni dhe nga mungesa e sundimit të ligjit, vjedhja e shtetit, ndërsa të vetmën shpresë sipas tij të rinjntë e shohin në ikjen nga vatra e tyre dhe vendosjen në ndonjë vend ku sa do kudo ka shpresë për një ekzistencë me dinjitet.

"Pra të rinjtë, sidomos ata shqiptarë, largohen të pashpresë nga vendlindja e tyre, sepse janë të lodhur nga “patriotizmi” i BDI-së, i cili kujdeset më shumë për të vdekurit se sa për të gjallët. Krimi e korrupsioni janë bërë vlera elitare, kurse “politikanët” e BDI-së, të pangopur nga pushteti, thonë:”akoma asgjë nuk keni parë’ thekson Osmani.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Demokratiike Pajtim Osmani pyet se për çfarë vlere evropiane flasin qeveritarët, kur në vend të ligjit, sundon krimi.

"Tashmë i ka dalë e gjithë ngjyra patriotizmit të rrejshëm, sepse patriotizmi ka kuptim kur mirëqenia sociale e ekonomike është në nivelin e arsyeshëm. Të gjithë paguajnë tatim që të jenë të barabartë, kurse përfitojnë ata që janë në pushtet dhe militantët e tyre analfabet. Kur të gjitha këto të zeza i shohim gjithandej, atëherë është normale ikja alarmante, mbase biblike, e të rinjve shqiptarë. Por, në horizont, megjithatë shihet se ndryshimi do të vijë dhe se shpresa do të ngjallet", shton Osmani.

Lëvizja Demokratike

__________________________________________________________________ 

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 
 
 

 

QËNDRONI TË LIDHUR