• e diel, 24 nëntor 2024

Lëvizja Antibixhoz sërish me thirrje për deputetët të votojnë për ndryshimet e ligjit për lojërat e fatit

Lëvizja Antibixhoz sërish me thirrje për deputetët të votojnë për ndryshimet e ligjit për lojërat e fatit

Tetovë, 26 shkurt 2024 (MIA) - Lëvizja Antibixhoz përmes një konference për shtyp sërish me kërkesë për deputetët ta mbështesin miratimin e ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me të cilin parashikohet që objektet e tilla të jenë 500 metra më larg shkollave fillore dhe të mesme.

Ndryshimet në këtë ligj më 7 shkurt i votuan 55 deputetë në Kuvend, por presidenti Stevo Pendarovski nuk e firmosi dekretin për shpalljen e ligjit, për shkak të sugjerimeve të BE-së se keqpërdoret mundësia për ndryshimet ligjore me procedurë të shkurtuar. Tani sërish do të votohet të enjten.

"Ne presim të mos gënjehemi edhe njëherë. Në Kuvend janë 120 deputetë, herën e kaluar votuan 55. Është një gënjeshtër edhe për Lëvizjen Antibixhoz edhe për popullin e Maqedonisë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim të partive politike, pozitë apo opozitë, të mos bëjnë politikë me këtë propozim-ligj. Ky propozim-ligj është ligji i parë që na mbron nga lojërat e fatit. Prandaj nuk duam të politizohet dhe të bëjnë politika, por kërkojmë të gjithë deputetët me vetëdije të mendojnë dhe ta mbështesin këtë propozim-ligj që të mund të kalojë me mbi 61 deputetë të votojnë për këtë ligj", theksoi Jushi Emurllai nga Lëvizja Antibixhoz.

Ata mendojnë se ligji duhet të marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Presidenti Pendarovski kritikohet se nuk e bën të njëjtën gjë për ligjet e tjera.

Ata shpresojnë që më shumë se 61 deputetë të votojnë ndryshimet e ligjit dhe siç thanë ata të mos varet nga nënshkrimi i presidentit.

"Ne menduam se presidenti do ta mbështeste këtë ligj, por ndodhi e kundërta, ai nuk e firmosi ligjin dhe na ktheu. Prandaj tani apelojmë te deputetët e VMRO-së dhe të gjithë deputetët e tjerë që ta përkrahin këtë ligj deri në fund. Sepse është ligji i parë që vjen në interes të popullit, nuk është në interes të Qeverisë apo të ndonjë partie politike, është në interes të popullit sepse ky është ligji i parë i mbrojtur. Ka pasur ligje më të këqija me flamurin evropian, kështu që presidenti i ka nënshkruar, ndërsa jo ky që mbron popullin e Maqedonisë. Kishte ligje që ai mund t'i kthente, por nuk e bëri. Prandaj i bëjmë thirrje presidentit që ta shohë situatën si është në Maqedoni", theksoi Jushi Emurllai.

Shoqata e Basteve Sportive të Maqedonisë (SHBSM) dhe Shoqata e Organizatorëve të Lojërave të Fatit (ShOLF) tashmë disa herë kanë organizuar protesta dhe kërkojnë që ky ligj të mos votohet, duke paralajmëruar rrezikun e lojërave të paligjshme të fatit, duke lënë më shumë se 10 mijë njerëz të papunë dhe probleme të tjera. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR