• e martë, 24 dhjetor 2024

Kuvendi nuk e pranoi Propozim ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, në lexim të parë

Kuvendi nuk e pranoi Propozim ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, në lexim të parë

Shkup, 11 shtator 2024 (MIA) – Kuvendi në kuadër të pjesës së pasdites së punës sipas rendit të ditës së seancës së 14-të, përfundoi debatin për Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, në lexim të parë, të propozuar nga deputetë nga Fronti Evropian, dhe me 64 vota “për” dhe 13 “kundër” konstatuan se nuk është i pranueshëm dhe se nuk mund të jepet për lexim të mëtejshëm. Seanca vazhdon nesër në orën 12:00.

Ilire Dauti nga Fronti Evropian theksoi se në vend ka mbi 1.400 vende ku luhet bixhoz. 

“Pikërisht për këtë duhet të kalojë Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese”, tha Dauti. 

Theksoi se këtë ua kanë premtuar edhe Lëvizjes Antibixhoz nga Tetova. 

Elmi Aziri nga koalicioni i njëjtë theksoi se statistikat tregojnë se në vendin tonë për një vit në kazino ka të ardhura prej 800 milionë deri një miliard euro, që, siç tha, është gati një e katërta e buxhetit shtetëror. 

“Prandaj nuk ka arsye për të refuzuar Propozim ligjin sepse bixhozi shkatërron të ardhmen e fëmijëve dhe familjet kanë probleme çdo ditë. Prandaj ju bëj thirrje që të largohemi nga matrica jonë politike dhe t'i jepet përparësi ndërgjegjes, sepse të gjithë jeni të vetëdijshëm që kazinotë duhet të mbyllen”, tha Aziri.

Blerim Bexheti, gjithashtu, nga Fronti Evropian theksoi se pikërisht ky Propozim ligj para një kohe ishte tërhequr nga rendi i ditës në mbledhjen e kuvendit pa respektuar procedurat. 

“Ka edhe lojëra të fatit në të zezë dhe duhet edhe ato të ndalohen sepse janë e keqja e familjeve dhe shoqërisë”, tha Bexheti. 

Ky Propozim i ligjit, siç theksoi Sali Murati nga Fronti Evropian, ka për qëllim të sjellë kufizime më të ashpra në lojërat e fatit sepse qasja liberale mundëson gjithnjë e më shumë të rinj të bëhen viktima të bixhozit dhe të bëhen të varur nga ai. 

“Varësia nga bixhozi nuk prek vetëm individin, por të gjithë familjen. Humbjet financiare mund të kenë pasoja afatgjata për fëmijët dhe bashkëshortët”, tha Murati.

Sali Sulejmani theksoi se kazinotë në shtet janë në çdo skaj që kontribuon për rritjen e bixhozit, ndërsa kjo ka pasoja të thella për qytetarët sepse është “sëmundje e rrezikshme e cila është përhapur”.

Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE theksoi se pajtohet që kazinotë të mbyllen, por shtoi se kjo zgjidhje ligjore nuk do të përkrahet nga deputetët e VMRO-DPMNE-së sepse ka për qëllim mbrojtjen e krimit dhe interesave afariste të disa personave nga BDI. 

“Sa licenca janë dhënë gjatë shtatë viteve të fundit”, pyeti Stojanoski.

Thoni, tha, se doni t’i largoni kazinotë nga shkollat, ndërsa në të njëjtën kohë bëtë kazino onllajn.

“Në këtë biznes ka krim me lojërat e fatit dhe shumë shpejt dikush do të përgjigjet”, theksoi Stojanoski dhe shtoi se Ministria e Financave është në përgatitje të ligjit për lojërat e fatit i cili do të jetë sistematik dhe i cili do të miratohet në procedurë gjithëpërfshirëse. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR