• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Kushtetuesja pas paralajmërimit për interpelancë ndaj Kostadinovskit: Gjykata mbetet në qëndrimin se instituti "interpelancë" nuk vlen për gjyqtarët kushtetues

Kushtetuesja pas paralajmërimit për interpelancë ndaj Kostadinovskit: Gjykata mbetet në qëndrimin se instituti

Shkup, 4 qershor 2025 (MIA) - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski mbetet në qëndrimin se nuk do të komentojë deklarata dhe veprime politike. Lidhur me mundësinë e interpelancës së një gjyqtari kushtetues, Gjykata tashmë zyrtarisht ka dhënë qëndrimin e saj më 13 mars 2025, informojnë nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së paralajmëruar për interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me interpelancën e gjykatësve kushtetues, Gjykata në mars të këtij viti doli me qëndrimin se "Kushtetuta nuk parashikon asnjë mundësi shkarkimi të ndonjë gjyqtari kushtetues as nga pushteti legjislativ dhe as nga ai ekzekutiv" dhe se instituti "interpelancë" i paraparë në bazë të nenit 72 të Kushtetutës në asnjë rast nuk mund të zbatohet për gjykatësit kushtetues.

Grupi parlamentar i Frontit Evropian dje deri te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dorëzoi interpelancë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

Deputeti Ilir Hasani, madje sot në konferencë për shtyp elaboroi se interpelanca është ngritur për punën e Kostadinovskit në bazë të nenit 72, paragrafi 1 dhe 2 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas Hasanit, Kostadinovski me vetëdije e ka shkelur Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe nenin 101 nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR