• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kushovski për MIA-n: Normalizohet qarkullimi i autobusëve në Shkup

Kushovski për MIA-n: Normalizohet qarkullimi i autobusëve në Shkup

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) - Qarkullimi i autobusëve në Shkup sot u normalizua, konfirmoi për MIA-n drejtori i NQP - Shkup, Dragi Kushovski. Ai thotë se sasitë e naftës nuk janë dorëzuar plotësisht, por dërgesa tani për tani është e mjaftueshme.

"Sot u normalizua transporti publik. Linjat qarkullojnë, si dhe më herët, respektivisht njëjtë si para se të paraqitet problemi me mungesë të derivateve. Të gjithë autobusët, të cilët janë në gjendje të qarkullimit, po qarkullojnë rregullisht", tha Kushovski.

I pyetur nëse janë dorëzuar të gjitha sasitë e naftës, ai u përgjigj se sasitë nuk janë dorëzuar plotësisht, por janë duke u dorëzuar me radhë. Megjithatë, tha, dorëzimi është i mjaftueshëm tani për tani.

Transporti publik në Shkup dy ditët e fundit është reduktuar për shkak të mungesës së naftës, përkatësisht janë lëshuar rreth 30 autobusë të Ndërmarrjes së Transportit Publik, prej të cilëve 25 me gaz natyror dhe edhe disa që kanë pasur rezerva të naftës. Në një mbledhje urgjente ditën e djeshme, Qeveria vendosi të shpallë gjendje të krizës dhe të japë naftë për shtatë ditët e ardhshme nga rezervat shtetërore.

Kushovski mbrëmë për MIA-n konfirmoi se nafta arrin në stacionet bazë të ndërmarrjes në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov dhe se gjatë natës rezervuaret e autobusëve do të mbushen.

Për sot në ora 14:00/14:30 janë paralajmëruar protesta publike për shkak të gjendjes me transportin në qytet: Kryetari i Komunës së Shuto Orizares Kurto Dudush u ka bërë thirrje të gjithë banorëve në protestë, ndërsa me kërkesë për normalizim të transportit publik dolën edhe studentët nga UCM-ja. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR