• e enjte, 26 shtator 2024

Kurti për "Politiko": Serbia po e shkel marrëveshjen, Borelli dhe Lajçaku nuk veprojnë si gjyqtarë

Kurti për

Prishtinë, 25 shtator 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e akuzoi Serbinë për ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe deklaroi se  presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist që kreu sulmin e vitit të kaluar në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Në një intervistë për median evropiane "Politiko" („politico.eu“), të cilën e transmetojnë mediat kosovare, Kurti i akuzoi edhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Zhozep Borell dhe Mirosllav Lajçak, se nuk e realizuan rolin e tyre. 

Sipas kryeministrit të Kosovës, "qasja e Serbisë nuk është për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën".

Siç shkruan “Politico”, deklaratën Kurti e ka bërë një ditë pas pjesëmarrjes në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Si është e mundur që (nga Beogradi) të thonë po për Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa të njëjtën ta refuzojnë ta nënshkruajnë", deklaroi Kurti.

Ai ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiqin, ku portali thekson se, edhe pse ishin në të njëjtin takim javën e shkuar, dy liderët s’kanë biseduar direkt.

"Kur ai (Vuçiq) flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës e akuzoi Qeverinë e Serbisë se e shkel në vazhdimësi marrëveshjen dhe se po e strehon kryeterroristin Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë, ku u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës.

“Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia”, ka thënë ai.

Ai i akuzoi edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Zhozep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak për njëanshmëri në sjellje ndaj palëve negociuese.

“Problemi është se zotërinjtë Borell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, deklaroi Kurti. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR