• e shtunë, 28 dhjetor 2024

KSI rekomandon mbajtjen e obligueshme të maskave në institucionet shëndetësore

KSI rekomandon mbajtjen e obligueshme të maskave në institucionet shëndetësore

Shkup, 20 shtator 2023 (MIA) - Komisioni për Sëmundje Infektive i Ministrisë së Shëndetësisë do të rekomandojë përdorimin e detyrueshëm të maskave në institucionet shëndetësore si parandalim i përhapjes së Kovid-19 dhe ende po punohet për të përcaktuar nëse varianti i ri i virusit Eris është i pranishëm. Rekomandimi, i cili u miratua në mbledhjen e sotme të Komisionit për Sëmundje Infektive, është vetëm për institucionet shëndetësore, dhe nuk vlen për farmacitë apo shtëpitë e të moshuarve.

"Kjo bëhet për të minimizuar mundësinë e transmetimit të infeksionit në institucionet shëndetësore, ku kemi grupe veçanërisht të rrezikuara, të cilat mund të nënshtrohen në komplikim të rëndë si rezultat i infektimit me virusin te të cilët mund të ndodhë një përfundim fatal. Për këto arsye Komisioni  për Sëmundje Infektive vendosi që sërish të rekomandojë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe te ministri të kërkohet mbajtje e obligueshme e maskave në institucionet shëndetësore", informoi dr. Zllate Mehmedoviq, kryetar i KSI-së.

Komisioni për Sëmundje Infektive ende nuk ka rezultat përfundimtar nëse bëhet fjalë për variantin të quajtur "eris". Nga Instituti për Shëndet Publik kanë marrë informacion se një kohë të gjatë zgjat procedura për mbledhjen e materialit sepse, ka një numër të vogël prej 112 të sëmurëve me Kovid-19.

"Është e nevojshme të mblidhen sasitë përkatëse të mostrave, jo vetëm nga rajoni i Shkupit por edhe nga rajonet tjera. Shpresojmë shpejt në periudhën e ardhshme, sepse siç thashë, numri i të gjithë atyre që kanë rezultuar pozitivë është i vogël. Po presim të marrim informacion të detajuar se cili është numri. Eris është konfirmuar në Serbi, por në Serbi ka një numër të konsiderueshëm të rasteve që prodhojnë një sasi më të madhe të materialit infektiv dhe mund të zbulohen në gjurmë më të vogla, megjithatë, në vendin tonë për faktin se kemi një numër të vogël të rasteve, ja një krahasim, krahasuar me gushtin e vitit 2022 kur kishim 12.300 raste për gushtin, tani kemi vetëm 112. Nuk është aq e lehtë të grumbullohet materiali infektiv që duhet të përpunohet", theksoi doktori.

Për momentin janë shtatë pacientë të shtruar, kryesisht të moshuar që kanë sëmundje shoqëruese.

"Disa prej tyre janë me mbështetje oksigjeni, që do të thotë se disa prej tyre mund të zhvillojnë një formë të rëndë të sëmundjes. Apelojmë që të vaksinohen të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike shoqëruese. Për të rritur imunitetin e tyre, janë në dispozicion 50 mijë vaksina nga Ministria e Shëndetësisë dhe vetëm në këtë mënyrë mund të përgatiten realisht për periudhën e ardhshme kur presim rritje të numrit. Nuk presim një rritje drastike siç ka qenë gjatë viteve të kaluara, por në një periudhë kur shifrat do të rriten, vetëm përmes vaksinimit do të mund ta mbrojnë imunitetin e tyre", tha dr. Mehmedoviq.

Edhe pse në opinion spekulohet se Kovid-19 tani shpesh herë shkakton diarre dhe të vjella, sipas Mehmedoviqit përvojat e vendeve tjera, si për shembull në Amerikë, tregojnë se më rrallë paraqiten ato dy simptoma dhe nuk ka humbje të shqisës së nuhatjes dhe shijes.

"Më shpesh simptomat lidhen me rrjedhjen e hundës, dhimbje të fytit, temperaturë të ngritur të trupit dhe plogështi, është shumë e ngjashme me çdo ftohje tjetër. Rrugët e poshtme respiratore infektohen shumë rrallë, ai mbetet si infeksion i lartë respirator, kështu që nuk ka dallim të madh nga variantet e tjera", theksoi Mehmedoviq.

Nuk do të ketë nevojë për izolim të të infektuarve, u vendos në mbledhje.

"Ne nuk rekomandojmë izolim, nuk rekomandojmë nxjerrjen e vendimeve që ndalojnë lëvizjen. Përkundrazi, ne do ta trajtojmë këtë fjalë për fjalë si çdo sëmundje tjetër që është endemike, siç është gripi. Rekomandimet janë që nëse nuk keni simptoma të theksuara dhe nuk keni nevojë për pushim mjekësor, të mbani maskë dhe me maskë të mund të lëvizni lirshëm edhe nëse jeni në punë", theksoi Mehmedoviq.

Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend në lidhje me situatën e vaksinimit, numrin e vaksinave në dispozicion, numrin dhe llojet e barnave. Përfundimi është se ne aktualisht kemi mjaft ilaçe dhe vaksina që mund të vihen në dispozicion për të trajtuar sëmundjen. sa/

foto: MIA 

QËNDRONI TË LIDHUR