• e enjte, 26 dhjetor 2024

KSHZ i miratoi Kodin dhe Udhëzimin për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare

KSHZ i miratoi Kodin dhe Udhëzimin për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare

Shkup, 27 shkurt 2024 (MIA) - Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme i miratoi Kodin për vëzhgimin e zgjedhjeve për president të shtetit dhe të zgjedhjeve për deputetë në Kuvend në vitin 2024, si dhe Udhëzimin për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe procedurës së zgjedhjeve. 

Kodi dhe Udhëzimi, siç ishte thënë, do të publikohen në ueb faqen e KSHZ-së.

Në seancë ishin votuar edhe Plani për komunikim dhe koordinim mes organeve të zgjedhjeve, Udhëzimi për dokumente të ndjeshme gjinore, si dhe Konkluzioni për mbetjen në fuqi të më shumë rregulloreve dhe udhëzimeve në mesin e të cilëve edhe ato për fletëvotime të vlefshme dhe të pavlefshme, për shpërndarje të paneleve reklamuese, për regjistrim dhe votim të personave të pafuqishëm, për votim të personave të cilët janë në arrest shtëpiak, për votim të personave në zyrat konsullare, për zgjidhjen e ankesave në kompetencë të KSHZ-së dhe në kompetencë të komisioneve zgjedhore komunale, për regjistrim dhe votim në institucione të veçanta me kujdes jofamiljar. 

Anëtari i KSHZ-së, Boban Stojanoski përkujtoi se qëllimi i Udhëzimit për vëzhgimin e zgjedhjeve është që të japë udhëzime për mënyrën e akreditimit të vëzhguesve dhe për zbatimin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe procedurës zgjedhore. 

"Kërkesë për marrjen e cilësisë të vëzhguesit mund të parashtrojnë shoqata vendore dhe organizata të huaja të cilat janë regjistruar në bazë të ligjit të paktën një vit para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, në statutin e të cilit është përfshirë parimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kërkesë për marrjen e cilësisë së vëzhguesit mund të parashtrojnë edhe organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të vendeve të huaja. Kërkesat dorëzohen në KSHZ nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa më së voni 10 ditë para ditës së votimit. Në bazë të kërkesave të tilla, KSHZ jep autorizime për vëzhgim më së voni shtatë ditë pas pranimit të kërkesave, ndërsa autorizimet bashkë me distinktivët jepen veçmas për të gjithë vëzhguesit", theksoi Stojanoski.

Kodin për vëzhgimin e zgjedhjeve e sqaroi Boris Kondarko.

"Kodi i referohet asaj se kush mund të vëzhgojë zgjedhjet, kush parashtron kërkesa. Bëhet fjalë për shoqata vendase dhe organizata të huaja të regjistruara sipas ligjit të paktën një vit para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe statuti i të cilave përfshin parimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, organizata të tjera ndërkombëtare dhe përfaqësues të vendeve të huaja. Kodi përmban udhëzime dhe rregulla për vëzhgim. Tregohet se çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë vëzhguesit e autorizuar të zgjedhjeve dhe si të sillen gjatë vëzhgimit. Ata duhet të njohin dhe respektojnë dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe Kodit, udhëzimet e KSHZ-së, të jenë të paanshëm në kryerjen e detyrave të tyre. Ata nuk duhet të shprehin njëanshmëri ndaj organeve zgjedhore apo kandidatëve, as të ndikojnë në asnjë mënyrë në procesin zgjedhor apo votuesit, të shprehin mbështetje për një parti, koalicion apo kandidat, madje nuk duhet të mbajnë as simbole të partisë, koalicionit apo kandidatit. Vëzhguesit e autorizuar duhet të mbajnë distinktivin e lëshuar nga KSHZ-ja dhe dokumentet personale, ndërsa konkluzionet e vëzhgimit duhet të bazohen në fakte të dokumentuara", theksoi Kondarko.

Ai informoi edhe se KSHZ ka dhënë urdhër që komisionet komunale zgjedhore nga kjo javë të aktivizohen dhe t'i kryejnë kompetencat e tyre sipas Librit të afateve, Kodit Zgjedhor dhe udhëzimeve të përgjithshme. Njëherësh u bën thirrje të gjitha organeve zgjedhore të marrin pjesë në trajnimet e detyrueshme për profesionalizim të administratës zgjedhore. fc/

Fotografia: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR