• e martë, 24 dhjetor 2024

KSHPK konfirmoi për MIA-n se kanë hapur lëndë për kontroll të pasurisë së Besija Iljazit

KSHPK konfirmoi për MIA-n se kanë hapur lëndë për kontroll të pasurisë së Besija Iljazit

Shkup, 23 maj 2024 (MIA) - Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për MIA-n konfirmoi se me nismën e tij kanë hapur lëndë për kontroll të të dhënave për gjendjen pronësore dhe interesave të Besija Iljazi, u.d. drejtoreshë organizative në Klinikën Universitare të Toksikologjisë Shkup.

Në përgjigjen me shkrim nga Antikorrupsioni dërguar MIA-s potencohet se arsyeja për të cilën KSHPK ka hapur lëndë, është në atë që ajo ka dorëzuar dy lista anketuese në të cilat e ka treguar pasurinë e saj - njërën derisa ishte këshilltare në Komunën e Tetovës, ndërsa tjetrën pasi është bërë drejtoreshë ekonomike në Klinikën e Toksikologjisë.

"Personi Besija Iljazi më 14.02.2024 ka dorëzuar në KSHPK Deklaratë për gjendjen pronësore dhe interesave në sistemin e ri elektronik për dorëzimin e deklaratës së gjendjes pronësore dhe interesave për funksionin u.d.  drejtoreshë organizative në Klinikën Universitare të Toksikologjisë Shkup. Theksojmë se për pozitën e këshilltarit të Komunës së Tetovës personi ka dorëzuar listë anketuese me datë 03.12.2021, por një pjesë e të dhënave nuk janë futur ose janë të paplota. Në raste të tilla, KSHPK në përputhje me nenin 92 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, verifikon vërtetësinë e të dhënave në deklaratën e gjendjes pronësore dhe të interesave në rast se është duke vepruar për një subjekt të caktuar ose në bazë të planit vjetor të punës. Në periudhën prej datës 03.12.2021 deri më 03.12.2023, për personin në fjalë nuk është hapur asnjë lëndë për veprim, si afat për mundësinë e veprimit ndaj të njëjtit, përkatësisht për fillimin e procedurës kundërvajtëse kundër të njëjtit", thonë nga Antikorrupsioni.

Nga KSHPK për MIA-n theksojnë se të dhënat në dy listat anketuese nuk janë identike, ndërsa u.d. drejtoresha Iljazi ka raportuar ndryshim të të njëjtave në ndërkohë.

Drejtoresha organizative e Toksikologjisë këto ditë ishte në qendër të vëmendjes për shkak se ua ka ndaluar të punësuarve të japin deklarata për mediat pa lejen e saj, si dhe për shkak të kontratave të kontestuara për punësim në klinikë për çka pas kontrollit të kryer nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor është konfirmuar se ishin nënshkruar vetëm nga Iljazi, ndërsa jo edhe nga drejtori mjekësor siç parashohin dispozitat ligjore. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR