• e martë, 24 dhjetor 2024

KSHPK ka formuar lëndë për udhëtimin e djalit të Mickoskit në SHBA

KSHPK ka formuar lëndë për udhëtimin e djalit të Mickoskit në SHBA

Shkup, 15 korrik 2024 (MIA) - Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit (KSHPK) ka formuar lëndë sipas informatës së marrë për udhëtimin e djalit të kryeministrit Hristijan Mickoski në Uashington.

Kryetarja e KSHPK, Tatjana Dimitrovska në deklaratë për MIA-n thotë se është formuar lëndë nga shkrimet në media. Dimitrovska tha se tashmë janë drejtuar në Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë dhe kanë kërkuar informacion se kush ka udhëtuar së bashku me kryeministrin në Uashington, gjegjësisht të konfirmohet nëse djali i Mickoskit ka udhëtuar me të në kurriz të buxhetit dhe në çfarë funksioni. Dokumentacioni është dërguar, ndërsa afati për përgjigjen e institucioneve, shtoi ajo, është 15 ditë.

LSDM opozitare akuzoi se djali i kryeministrit ka udhëtuar me të në SHBA dhe kërkon që të publikohen llogaritë private nga udhëtimi. VMRO-DPMNE u përgjigj se djali i Mickoskit nuk ishte pjesë e delegacionit zyrtar dhe se të gjitha shpenzimet janë paguar privatisht nga familja e Mickoskit.

"Djali i Mickoskit nuk është pjesë e delegacionit zyrtar në samitin e NATO-s. Edhe pse kryetari Mickoski ka të drejtën e një anëtari shoqërues në delegacion, udhëtimi i djalit të tij nuk i kushton asgjë shtetit, gjegjësisht të gjitha shpenzimet i mbulon privatisht familja e Mickoskit. Për dallim nga koha kur kryeministri i LSD-së Kovaçevski i sillte fëmijët si anëtarë të delegacionit zyrtar. Nëse delegacioni do të donte të fshihte diçka, sigurisht se nuk do të kishte fotografi nga udhëtimi. Përkundrazi, gjithçka është transparente", thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot përmes kumtesës i hedh poshtë pretendimet e LSDM-së, e cila ka kërkuar nga kryeministri Hristijan Mickoski të thotë nëse është në kurriz të shtetit në SHBA dhe të publikojë llogaritë private për kartelën dhe shpenzimet për djalin.

"Njëheri, informojmë publikun se delegacioni në Samitin e NATO-s ishte përcaktuar saktë nga Aleanca dhe kishte gjithsej 21 anëtarë, sipas protokolleve të NATO-s. Në të njëjtën kohë, theksojmë se Jovan Mickoski, djali i kryeministrit, Hristijan Mickoski, nuk ishte njëri nga anëtarët e delegacionit, edhe pse kryetari Mickoski kishte ftesë që të shoqërohet nga një familjar", thuhet në reagimin e Ministrisë.

Njëkohësisht, informojnë se për udhëtimin e Jovan Mickoskit nuk janë shpenzuar mjete nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ata theksojnë se për të gjitha informacionet shtesë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme mbetet e hapur për opinionin. bsh/

Foto; MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR