• e enjte, 26 dhjetor 2024

KSHPK: Drejtori i Inspektoratit për ndërtimtari, Fatmir Arifi nuk e ka justifikuar origjinën e dy banesave të përfituara dhe një automjeti në vlerë prej 18 mijë euro

KSHPK: Drejtori i Inspektoratit për ndërtimtari, Fatmir Arifi nuk e ka justifikuar origjinën e dy banesave të përfituara dhe një automjeti në vlerë prej 18 mijë euro

Shkup, 13 tetor 2023 (MIA) - Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në seancën e sotme ka marrë vendim që të dorëzojë nismë për ndjekje penale deri në Prokurorinë Themelore Publike dhe nismë në Qeveri për shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit shtetëror për ndërtimtari, Fatmir Arifi, sepse kanë konstatuar se ai nuk e ka arsyetuar para Komisionit mënyrën se si e ka fituar pronën në periudhën e kaluar.

Siç informuan anëtarët e komisionit, bëhet fjalë për një banesë në Çair, një në Zhelezarë dhe një automjet me vlerë prej 18.000 euro. 

"Pas analizimit të të dhënave nga institucionet përkatëse, janë vërejtur dallime në të dhënat e futura në fletën anketuese dhe të dhënat e marra nga Agjencia për kadastër të patundshmërisë në pjesën e pasurive të paluajtshme, të dhënat nga MPB-ja në pjesën e automjeteve dhe Regjistrin Qendror, dhe nuk është regjistruar banesë në pronësi të Fatmir Arifit në Çair, nuk është regjistruar banesë në Zhelezarë, nuk është  regjistruar një Ford që e ka blerë në vitin 2021 me çmim 18 mijë euro. Me qëllim të përcaktimit të procedurës faktike, KSHPK-ja e thirri personin në bisedë, në bisedë u kërkua që të deklarohet për dallimet e konstatuara të të dhënave në listën anketuese dhe institucionet kompetente. Ai u përgjigj se është i angazhuar me shitjen e automjeteve dhe se njërën banesë e ka marrë duke ndërruar automjetin me një banesë dhe ka pretenduar se për këtë ka një kontratë të noterizuar. Nga mbikëqyrja e të dhënave në bankat dhe institucionet e tjera financiare në vendin tonë për personin e përmendur dhe familjarët e tij me të cilët jeton, rezulton se personi i përmendur nuk realizon të ardhura shtesë përveç të ardhurave të rregullta në bazë të pagës, ndërsa duke pasur parasysh se nuk ka ofruar dëshmi për bazën dhe prejardhjen e mjeteve për blerjen e banesave dhe automjetit, nuk është vërtetuar se pasuria në fjalë është fituar si rezultat i të hyrave të raportuara dhe të tatimuara", informoi Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.

Anëtarët e komisionit përcaktuan bazë për dyshim për kryerjen e veprës penale nga Kodi Penal.

"Nëse në procedurën e shqyrtimit të pasurisë dhe gjendjes pasurore nuk vërtetohet se pasuria është fituar dhe rritur si rezultat i të ardhurave që janë raportuar ndaj personit për të cilin është zhvilluar ajo procedurë, ne paraqesim iniciativë për ngritjen e kallëzimit pendal deri në Prokurorinë Themelore Publike, si dhe në organin që e ka emëruar në pozitën e drejtorit, gjegjësisht në Qeverinë e RMV-së propozoj që të bëhet iniciativë për përgjegjësi dhe shkarkim, sepse si drejtor i Inspektoratit shtetëror për ndërtimtari të përfitoj pronë përmes objekteve të ndërtuara ilegalisht nuk është e drejtë", theksoi Ivanovska.

Nëpunësit e antikorrupsionit diskutuan edhe për rastet që kanë të bëjnë me kryerjen e përgjegjësive të komunave në fushën e inspektimit, për të cilat disa nga anëtarët u pajtuan se nuk ka pasur përpjekje të dukshme nga kryetarët e komunave për t'u marrë me ndërtimet pa leje.

Nuri Bajrami shtoi se një rast të ngjashëm ka pasur edhe në Komunën e Gazi Babës ku Komisioni është referuar dhe ka pasur iniciativë për ndjekje penale, por nuk ka pasur përgjegjësi. ls/

Foto: Printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR