• e mërkurë, 04 shkurt 2026

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi për vizitë pune në Uashington

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi për vizitë pune në Uashington

Uashington, 4 shkurt 2026 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, po qëndron për vizitë pune në Uashington, SHBA, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane dhe organizatave ndërkombëtare, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit ndërparlamentar.

Gashi, siç kumtoi shërbimi për shtyp i Kuvendit, ka zhvilluar një takim me anëtaren e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, znj. Claudia Tenney, bashkëkryetare e Grupit Parlamentar për Maqedoninë e Veriut në Kongres. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për partneritetin strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, si dhe për rëndësinë e rolit të Kongresit amerikan në zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit.

Kryetari Gashi theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut si anëtare e NATO-s, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e lidershipit amerikan në ruajtjen e sigurisë euroatlantike, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Në vazhdën e vizitës, Kryetari i Kuvendit zhvilloi takime edhe me drejtues të organizatave ndërkombëtare që prej vitesh mbështesin proceset demokratike dhe zhvillimin institucional të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, respektivisht në IRI dhe NDI.

Në takimin me Daniel Tvajning, Kryetar i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), dhe Stiven Niks, Drejtor për Evropën dhe Euroazinë, u diskutua bashkëpunimi i deritanishëm, dhe dialogu strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve.

Po ashtu, në një takim me Tamara Uites, Kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), dhe Skot Bejts, Drejtor Rajonal për Evropën dhe Azinë, u diskutuam për vlerën e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet Kuvendit dhe NDI-së. Gashi shprehu mirënjohje për projektet në forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve parlamentare, digjitalizimin, transparencën dhe afrimin e Kuvendit me qytetarët, përfshirë Programit për Mbështetje Parlamentare, i cili ndër vite ka dhënë rezultate të prekshme.

Në të gjitha takimet, Kryetari Gashi vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve amerikanë për avancimin e standardeve demokratike, duke riafirmuar gatishmërinë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në funksion të forcimit të demokracisë, stabilitetit dhe përfaqësimit më të mirë të qytetarëve.

Në këtë pjesë të agjendës Gashi ishte i shoqëruar nga Nënkryetari i Kuvendit, z. Antonio Milloshoski, si dhe nga delegacioni qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku bëjnë pjesë ministrat Stefan Andonovski dhe Zlatko Pirinski, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.

Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, gjatë vizitës Gashi do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit (National Prayer Breakfast), dhe përveç takimeve të shumta me figura të rëndësishme institucionale, pritet t’i drejtohet Forumit të Sigurisë në Kongresin Amerikan, si dhe do të marrë pjesë në panelin e diskutimit në Konferencën “Balkans Forward Summit”, të organizuar nga Këshilli Atlantik. ls/

Foto: Kuvend 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR