Kryeprokurori i ri Nenad Saveski dha deklaratë solemne, pret që së bashku me prokurorët e tjerë të përmbush pritshmëritë e qytetarëve
- Në deklaratën për media pas takimit me Gashin, Saveski u shpreh mirënjohës për zgjedhjen dhe theksoi se e ka të njohur sistemin prokurorial dhe se pret që së bashku me të gjithë prokurorët publikë ta kryejnë mirë punën e tyre dhe t'i përmbushin pritjet e qytetarëve.
- Post By Fami Bajrami
- 11:46, 19 mars, 2026
Shkup, 19 mars 2026 (MIA) - Prokurori i ri publik i shtetit, Nenad Saveski sot dha deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Në deklaratën për media pas takimit me Gashin, Saveski u shpreh mirënjohës për zgjedhjen dhe theksoi se e ka të njohur sistemin prokurorial dhe se pret që së bashku me të gjithë prokurorët publikë ta kryejnë mirë punën e tyre dhe t'i përmbushin pritjet e qytetarëve.

Dje, Kuvendi me 66 vota "pro" e zgjodhi Saveskin për prokuror të ri të shtetit.
Saveski ka qenë gjykatës në Gjykatën Themelore Penale - Shkup, derisa për prokuror publik shtetëror u nominua nga Qeveria më 10 mars. Kandidatura e tij vjen pas dorëheqjes së ish prokurorit Lupço Kocevski, dhe pas një procedure në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.

Ai ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar, është magjistër i Shkencave Juridike në të Drejtën Penale, i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë” pranë USHKM në Shkup, ku kreu edhe studimet e tjera. Provimin e jurisprudencës e kaloi në vitin 2003. Saveski nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, në degën për krim të organizuar dhe korrupsion. Më parë, nga viti 2009 deri në 2016, ka punuar si prokuror në Prokurorinë Themelore, ndërsa nga 2004 deri në 2009 ka qenë bashkëpunëtor i specializuar në Gjykatën Themelore të Gostivarit. Në këtë gjykatë nga 2000 deri 2002 ka punuar si praktikant gjyqësor.
Në biografinë e tij figuron se ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, në Konventën Kombëtare për BE – Neni 23, si dhe në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID.
Është anëtar i grupeve të punës për reforma gjyqësore dhe ligjore, ka punuar në projekte për masa të veçanta hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.
Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, tutor dhe trajnues kombëtar në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajnues për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë penale.
Ai është autor dhe bashkëautor i punimeve për masa të veçanta hetimore, lirinë e shprehjes, shpifje dhe ofendim, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe udhëzues dhe publikime të tjera profesionale.
Flet gjuhën maqedonase, angleze, gjermane, serbe dhe ka njohuri bazë të gjuhës shqipe.
Foto: MIA