• e martë, 24 dhjetor 2024

Kryeparlamentari Gashi e priti kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Kurtulmush

Kryeparlamentari Gashi e priti kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Kurtulmush

Shkup, 21 dhjetopr 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot zhvilloi takim me Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Numan Kurtulmush, i cili po qëndron për vizitë zyrtare kthyese në shtet, së bashku me një grup deputetësh.

Në takim, siç njofton pres shërbimi i Kuvendit, morën pjesë edhe deputetët Bejxhan Iljas, kryetar i Grupit të deputetëve për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë, Nikolla Micevski, Fatmir Bytyqi, Mehmed Xhaferi dhe Merita Kolçi Koxhaxhiku, anëtarë të Grupit, si dhe sekretarja e përgjithshme, Marina Dimovska.

Gashi, me këtë rast shprehu kënaqësinë për realizimin e vizitës së ndërsjellë nga kryetari Numan Kurtulmush, e cila përkon me shënimin e 21 dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në vend. Ai theksoi se komunitet turk është një pjesë konstruktive e strukturës shoqërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një faktor i rëndësishëm për bashkëjetesën në vend.

"Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë kultivojnë një miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, ndërsa bashkëpunimi reciprok është dinamik në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivel parlamentar", tha Gashi, i cili shprehu bindjen se takimet midis deputetëve të dy kuvendeve mund të kontribuojnë shumë në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme që Republika e Turqisë i ka dhënë Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia.

"Turqia ishte një nga vendet e para që e njohu shtetin tonë dhe hapi ambasadën dhe caktoi ambasador në Shkup", tha Gashi.

Ai gjithashtu u përqëndrua në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Republika e Turqisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vazhdon të investojë në ekonominë tonë.

Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Numan Kurtulmush, gjatë takimit ka shprehur kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se të dy vendet i lidh një miqësi historike dhe e thellë. Ai shprehu kënaqësi që prania e kryetarëve të Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë në shënimin e 21 Dhjetorit në vend tashmë po bëhet një traditë.

"Republika e Turqisë e mbështet fuqishëm integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson që të dy vendet së bashku do ta përfundojnë këtë proces. Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, shpreh kënaqësinë për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe praninë e kompanive turke në vend, veçanërisht në projektet infrastrukturore", tha Kurtulmush.

Gashi dhe Kurtulmush theksuan se vlerësojnë lart bashkëpunimin e suksesshëm në kuadër të NATO-s dhe pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet paqeruajtëse, si dhe bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e trajnimit dhe edukimit ushtarak dhe donacionet e pajisjeve për nevojat e ushtrisë sonë. Ata shprehën kënaqësinë edhe për aktivitetet e Agjencisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit të Republikës së Turqisë – TIKA, Fondacionit “Maarif” dhe Institutit “Yunus Emre” në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Bashkëbiseduesit, u përqëndruan në nevojën për rishikimin dhe përmirësimin e marrëveshjes bilaterale “Për tregtinë e lirë” ndërmjet dy vendeve, në drejtim të liberalizimit më të madh të produkteve tregtare. Po ashtu, ata theksuan se ekzistojnë mundësi të mëdha për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok në fushën e kulturës, arsimit, turizmit dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.

Kryetarët e dy kuvendeve, gjatë takimit shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë dhe theksuan nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet.

Në fund të takimit, Gashi dhe Kurtulmush shprehën bindjen se partneriteti shumëvjeçar midis dy shteteve dhe tendenca pozitive në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit do të vazhdojnë të avancohen edhe më tutje. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR