• e diel, 24 nëntor 2024

Kryeministri Kovaçevski u prit në Beograd me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake

Kryeministri Kovaçevski u prit në Beograd me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake
Beograd, 31 mars 2023 (MIA) - Në ceremoninë me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot në Beograd u prit nga Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq.
 
Kryeministri Kovaçevski dhe Kryeministrja Bërnabiq realizuan  një takim tet a tet.
 
Në fokus të bisedimeve janë marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe, të cilat janë pa çështje të hapura ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe bashkëpunimi mes dy vendeve, i cili është i gjithanshëm dhe i zhvilluar mirë.
 
"Në takim u bisedua për projekte të shumta që janë në vazhdim dhe u dakorduan për aktivitetet në periudhën e ardhshme në fushën e ekonomisë, kulturës, diasporës dhe fushave tjera. Bashkëbiseduesit folën edhe për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe proceset e reformave dhe kushtet që vendet përpiqen të përmbushin për integrim sa më të shpejtë në BE", theksohet në kumtesë.
 
Pas përfundimit të takimit tet a tet të të dy kryeministrave  do të zhvillohet një mbledhje plenare e dy delegacioneve qeveritare dhe do të nënshkruhen disa dokumente dypalëshe.
 
Kovaçevski me ftesë të Bërnabiqit është në një vizitë zyrtare në Beograd dhe kryeson delegacionin qeveritar, me ministrat e punëve të brendshme Oliver Spasovski, të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Ljupço Nikolovski, të Transportit dhe Lidhjeve Blagoj  Boçvarski, si dhe zëvendësministri i Shoqërisë informatike dhe Administratës Publike Aleksandar Bajdevski.
 
Pas takimit të dy delegacioneve, kryeministrat Kovaçevski dhe Bërnabiq do të mbajnë konferencë për media.
 
Kovaçevski e filloi vizitën zyrtare me një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pas takimit në rrjetet sociale vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mirat në historinë moderne. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR