• e premte, 27 dhjetor 2024

KRRE-ja propozoi tarifa të reja për ujin në Shkup, faturat mund të mbeten të njëjta ose të rriten për 29,5 denarë në muaj

KRRE-ja propozoi tarifa të reja për ujin në Shkup, faturat mund të mbeten të njëjta ose të rriten për 29,5 denarë në muaj

Shkup, 2 mars 2023 (MIA) - Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) solli vendim me të cilin propozoi tarifë të re maksimale dhe minimale për çmimin e ujit në Shkup dhe nëse pranohet ajo maksimale, uji do të shtrejtohet për 29,5 denarë në nivel mujor, ndërsa nëse pranohet ajo minimale çmimi do të mbetej i njëjtë. Vendimi, paralajmëroi sot kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski, do të dorëzohet te Ujësjellësi Shkup Bordi Drejtues i të cilit do të marrë vendim për të cilin do të duhet të votojë Këshilli i Qytetit të Shkupit. E gjithë procedura për vendosje duhet të përfundojë në afat prej 150 ditë. 

"Çmimi aktual për amvisëri është 31,87 denarë. Me vendimin tonë propozojmë që tarifa minimale të jetë 31,53 denarë, ajo është ulje minimale e përcaktuar e cila ka të bëjë me faktin që ndihma e cila do të jepet me çmim më të ulët të energjisë elektrike do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, ndërsa tarifa maksimale është 34,82 denarë. Tarifa minimale është më e ulët se ajo ekzistuese, ndërsa ajo maksimale është nëntë për qind më e lartë. Nëse pranohet tarifa maksimale, mund të ketë rritje, ndërsa kostoja mujore nëse pranohet tarifa maksimale do të nënkuptonte rritje prej 29,5 denarë në muaj. Besoj se 29,5 denarë apo 30 denarë nuk paraqet asnjë problem për kompanitë, gjegjësisht për qytetarët. Është vetëm 30 denarë në muaj, pra nëse vendosë Ujësjellësi dhe Kanalizimi Shkupi dhe Këshilli pranon tarifën maksimale", sqaroi Bislimovski.

Ai theksooi se kur vendosin për shpenzimet te ndërmarrjet komunale nuk i njohin shpenzimet e pajustifikuara, gjegjësisht i njohin vetëm shpenzimet e justifikuara ekonomike me qëllim që qytetarët të paguajnë për shpenzime të cilat duhet t'i ketë çdo ndërmarrje.

"Kur t'i marrim vendimet tona në periudhën e ardhshme, do të kujdesemi që ato të jenë në kornizën që do të lejojë që çështja e tarifave të ujit të mos politizohet", tha Bislimovski.

Kryetari i KRRE-së theksoi se pas dorëzimit të propozimit në Ujësjellësin Shkup, ata kanë të drejtë, në bazë të renditjes ndërmjet tarifës minimale dhe maksimale, të marrin vendimin e tyre, të cilin më pas ia dorëzojnë Këshillit të Qytetit të Shkupit për miratim.

Ai potencoi se me tarifën minimale ka mundësi të ketë ulje të çmimit të ujit dhe se kjo varet në fund nga Ujësjellësi dhe Kanalizimi dhe nga Këshilli i Qytetit të Shkupit.

Ai theksoi se afati maksimal në të cilin duhet të përfundojë e gjithë procedura është 150 ditë.

"Pra, ky vendim i yni nuk do të zbatohet për momentin. Ai duhet të kalojë nëpër organet vendimmarrëse në Ujësjellësi dhe Kanalizimi dhe Bordi i tyre Drejtues duhet t'i dorëzojë propozim Këshillit të Qytetit të Shkupit. Nga dita e marrjes së vendimit tonë deri në marrjen e vendimit përfundimtar të Këshillit të Qytetit të Shkupit, maksimumi është 150 ditë", tha Bislimovski.

Duke iu referuar ndërmarrjeve të tjera komunale në vend, ai tha se të gjitha kanë pasur një farë mungese fondesh për shkak të rritjes së shpenzimeve, por se duhet t'u jepet sinjal këtyre ndërmarrjeve komunale për të përmirësuar efikasitetin e tyre. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

.  

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR