Kreshnik Bekteshi ende po mbahet në polici
- Ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi është ende në stacion policor, pasi dje është marrë në pyetje për zjarrin në lokalin e natës në Koçan, konfirmuan për MIA-n nga MPB-ja.
- Post By Fami Bajrami
- 11:57, 17 mars, 2025

Shkup, 17 mars 2025 (MIA) - Ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi është ende në stacion policor, pasi dje është marrë në pyetje për zjarrin në lokalin e natës në Koçan, konfirmuan për MIA-n nga MPB-ja.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dje informoi se MPB-ja në koordinim me Prokurorinë publike në listën e të dyshuarve ka më shumë se 20 persona për këtë ngjarje, prej të cilëve 15 po merren në pyetje në polici.
"Disa nga personat e ndaluar që për momentin ndodhen në stacion policor janë njerëz të cilët janë përgjegjës direkt për këtë ngjarje, sipas provave të grumbulluara deri më tani. Është ndaluar një person i cili është organizator i ngjarjes dhe për të cilin dyshojmë se është një nga përgjegjësit e drejtpërdrejtë. Gjithashtu është arrestuar një ish sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë, një ish shef sektori në Ministrinë e Ekonomisë, një ish drejtor i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe tre të punësuar në kuadër të kësaj drejtorie", tha Toshkovski.
Për rastin deri tani janë marrë në pyetje mbi 20 persona, ndërsa për 11 Prokuroria ka nisur procedurë hetimore. Për tetë prej tyre tashmë është iniciuar propozim për paraburgim, ndërsa tre të tjerët janë ende të hospitalizuar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në zjarrin që ndodhi në diskotekën "Puls" në Koçan, jetën e kanë humbur 59 të rinj, ndërsa mbi 140 persona janë nën kujdes brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme të institucioneve, diskoteka nuk ka pasur rrjet hidranti dhe aparate të mjaftueshme kundër zjarrit, në të në mënyrë të paligjshme janë përdorë materiale piroteknike, nuk ka pasur as licencë legale për punë si dhe nuk është lidhur asnjë marrëveshje me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Foto: arkivi i MIA