• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Krahu i ASH-së së Taravarit mbështeti kandidaturën e tij për president dhe koalicionim me LEN-in dhe anuloi vendimet e Selës

Krahu i ASH-së së Taravarit mbështeti kandidaturën e tij për president dhe koalicionim me LEN-in dhe anuloi vendimet e Selës

Shkup, 16 shkurt 2024 (MIA) - Krahu i Aleancës për Shqiptarët me në krye Arben Taravarin në kongresin e jashtëzakonshëm sonte në Shkup konfirmoi vendimet për kandidaturën e Taravarit për president të vendit dhe për koalicionim me Lidhjen Evropiane për Ndryshim (LEN).

Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i ASH-së, Blerant Ramadani nga gjithsej 739 delegatë në nivel republikan, në kongres kanë marrë pjesë 421 delegatë ku unanimisht janë miratuar disa vendime.

"Në këtë kongresin e jashtëzakonshëm ka pasur tre pika kryesore. Si i pari miratimi i kandidaturës për president shteti të kryetarit të partisë sonë Arben Taravari. Shfuqizimi i vendimeve të Kuvendit të partisë të mbajtur më 10 shkurt 2024. Dhe në fund, ndryshime dhe plotësime në statut. Tri pikat u votuan me 421 vota, përveç pikës së parë që u votua me 420 vota, vetëm një abstenoi", ka thënë Ramadani.

I pyetur për kongresin e ish kryetarit të partisë dhe kryetarit të Kuvendit të partisë Ziadin Sela, Ramadani thotë se duke marrë parasysh faktin se sonte në Kongres morën pjesë 421 nga gjithsej 739 delegatë, mbetet të shihet se sa delegatë do të kenë në të ashtuquajturin kongresin e tyre.

"Konsideroj se të dielën nuk do të kenë më shumë se 30 për qind të delegatëve. Pra, nuk besoj se mund të sjellin ndonjë vendim legjitim", thekson zëdhënësi i partisë.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët (AA), Arben Taravari para fillimit të kongresit të jashtëzakonshëm të partisë deklaroi se pret që të konfirmohen vendimet për koalicionim me opozitën shqiptare, si dhe kandidimin e tij për president në zgjedhjet e ardhshme.

I pyetur se çfarë mendon për kongresin e ish kryetarit të partisë Sela dhe kryetar i Kuvendit të partisë të caktuar për të dielën, Taravari tha se “ky është kongres legjitim”. Sipas tij për thirrjen e kuvendit nevojiten dy të tretat e delegatëve, ndërsa Sela nuk ka pasur as gjysmën e tyre. Lidhur me atë se kë dëshiron kundërshtar nga radhët e BDI-së, Taravari thotë se do të dëshironte që ai të jetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

“Unë do të preferoja Ali Ahmetin, por do të respektoj edhe kandidatët tjerë që kanë mbështetjen e partive të tyre”, tha Taravari.

Kongresi mbahet dy ditë para kongresit të thirrur nga Sela i cili do të kërkojë përgjegjësi dhe shkarkimin e Taravarit për vendimin e tij për të hyrë në koalicion me Lidhjen Evropiane për Ndryshim. Nga ana tjetër, Taravari dje ka shpallur kandidaturën e tij për president me mbështetjen e LEN-it.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR