• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: Vendet ministrore të VMRO-DPMNE-së duhet të mbeten bosh derisa të vendosin të mbështesin qeverinë teknike

Kovaçevski: Vendet ministrore të VMRO-DPMNE-së duhet të mbeten bosh derisa të vendosin të mbështesin qeverinë teknike

Shkup, 19 janar 2024 (MIA) - Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sot në deklaratë për mediat tha se vendet që me ligj i takojnë opozitës në Qeverinë teknike duhet të mbeten bosh derisa VMRO-DPMNE të votojë për atë qeveri.

Ai i bëri thirrje mandatarit të ardhshëm Talat Xhaferi që të bëjë një qeveri në të cilën postet ministrore dhe postet shtesë të zëvendësministrave do të mbeten bosh, ndërsa kur VMRO-DPMNE të vendosë të mbështesë qeverinë teknike, atëherë të futen ministrat e tyre.

"Kur dikush merr pjesë në një qeveri, do të thotë se ajo qeveri duhet të mbështetet. Nuk ka përvojë dhe shembull në botë që një parti politike të marrë pjesë në një qeveri dhe të mos e mbështesë atë qeveri. Ka shembuj kur një parti politike nuk merr pjesë në qeveri, por e mbështet atë. Megjithatë, nuk ka asnjë shembull që një parti politike të marrë pjesë në një qeveri pa votuar për qeverinë. Prandaj, mendoj se VMRO-DPMNE, në përputhje me ligjin, sikur të gjitha partitë e tjera politike që janë ftuar të kenë ministra në qeverinë teknike, duhet të japin kandidatët e tyre dhe të votojnë për atë qeveri. Nëse VMRO-DPMNE vendos të mos e votojë atë qeveri, atëherë unë mendoj se ato vende duhet të mbeten bosh, mandatari të propozojë një qeveri në të cilën ato vende do të jenë të lira, dhe në momentin kur VMRO-DPMNE vendos të mbështesë qeverinë, të nesërmen mandatari do të mund të propozojë që në të njëjtën ditë të votohen ministritë që ju takojnë", tha Kovaçevski.

Duke komentuar deklaratën e liderit të opozitës VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski se ministrat e tyre në qeverinë teknike nuk do të marrin pjesë në seancat e qeverisë, Kovaçevski tha se Qeveria është organ ekzekutiv në të cilin duhet të angazhohen ata që janë anëtarë të Qeverisë gjatë gjithë ditës për të qenë në gjendje të kryejnë detyrimet që kanë.

"Nga qasja e tyre në Kuvend, pamë se ata ishin pjesë e Kuvendit në katër vitet e fundit, në të cilat e vetmja gjë që bënë ishte bllokimi. Qeveria është organ ekzekutiv në të cilin ata që janë anëtarë të Qeverisë duhet të angazhohen gjatë gjithë ditës që të mund t'i kryejnë obligimet që i kanë", theksoi Kovaçevski.

Në lidhje me takimin e djeshëm me ish-kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, Kovaçevski tha se kanë biseduar se si duhet të duken paraqitjet e partive politike në zgjedhjet e ardhshme.

"Dje diskutuam se si vendi duhet të përparojë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Secili prej nesh ishte në gjendje të ndante përvojat tona nga mandatet që kishim. Folëm edhe se si duhet të duken performancat e partive politike në zgjedhjet e ardhshme, natyrisht nga prizmi i përvojës që kanë të gjithë. Ky nuk është as takimi i parë dhe as i fundit, sidomos për disa që njihen prej tre dekadash", tha Kovaçevski.

Lidhur me koalicionet parazgjedhore dhe zgjedhore me BDI-në, Kovaçevski theksoi se janë duke bërë analiza në LSDM me partnerët e koalicionit. Ai beson se vendit i duhet një koalicion evropian i cili, siç tha, do t'i sigurojë vendit një të ardhme të sigurt evropiane pa paqartësi, izolime dhe balanca politike siç ka pasur gjatë qeverisjes 11-vjeçare të VMRO-DPMNE-së.

"VMRO-DPMNE, për fat të keq, përsëri nuk ka një koncept që shikon përpara. E shihni që të gjitha deklaratat e tyre bazohen në disa supozime, të bazuara në disa skenarë që nuk kanë asnjë bazë reale në proceset politike as në vend, as në rajon dhe as në Evropë. Besoj se qytetarët dinë ta vlerësojnë këtë dhe më 24 prill në zgjedhjet presidenciale dhe më 8 maj në zgjedhjet parlamentare do të formohet sërish Qeveria nga LSDM dhe partnerët e koalicionit", tha Kovaçevski. ls/

Foto: Printskrin nga video

 

QËNDRONI TË LIDHUR