• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Thirrja për këtë 8 Shtator është të përfitojmë nga shansi i papërsëritshëm për integrim në BE

Kovaçevski: Thirrja për këtë 8 Shtator është të përfitojmë nga shansi i papërsëritshëm për integrim në BE

Shkup, 7 shtator 2023 (MIA) - Sfida është një shans për të bërë më të mirën tuaj dhe ne kemi atë shans të papërsëritshëm për përparim që lidhet drejtpërdrejt me integrimin tonë në BE tani. Jemi në një kontekst unik kur për shkak të mundësive gjeopolitike dhe nevojës për të garantuar stabilitetin e kontinentit evropian, ne i duhemi BE-së dhe bashkësisë demokratike ndërkombëtare ashtu siç na nevojiten edhe ato neve, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në  akademinë solemne, e cila po mbahet sonte në Filarmoninë, me rastin e festës së Pavarësisë - 8 Shtatorit.

Ai theksoi se "lajmëtari i lirisë" 8 Shtatori, në prag të kësaj feste të madhe dhe të rëndësishme të shtetësisë maqedonase – Ditës së Pavarësisë, kërkon një hap të ri të sigurt përpara.

"Para 32 vitesh në vitin 1991, me shumicë votash mbi 95 për qind të qytetarëve, u realizua amaneti për shtetin tonë të pavarur maqedonas për brezat pas nesh, zë që jehon nga Ilindeni i vitit 1903 dhe KAÇKM 1944. Tridhjetë e dy vjet më vonë, para nesh është zëri i qytetarëve në përcaktimin shumicë prej 80 për qind për jetën në Evropë, në Bashkimin Evropian, por në Republikën e Maqedonisë së Veriut", tha Kovaçevski.

Brezat e sotëm, tha ai, e kanë për obligim t'i përgjigjen thirrjes së 8 shtatorit të sotëm, që kërkon të vazhdojmë idenë shekullore të përparimit.

"Ky është një shans që vjen në një kohë kur RMV është një vend i themeluar ndërkombëtarisht, një vend që sigurisht është në rrugën drejt BE-së, me kufij të siguruar, me gjuhë dhe identitet maqedonas të njohur, një vend që është shembull i një demokracie të suksesshme multietnike, e cila kontribuon në paqen rajonale dhe evropiane, si shtet i lirë dhe sovran, anëtar i NATO-s, vend që me siguri është në rrugën e tij drejt BE-së", tha Kovaçevski.

Në akademinë e titulluar "32 vjet pavarësi", marrin pjesë anëtarë të Qeverisë, përfaqësues të institucioneve, komunitetit akademik, biznesmenë, trupi diplomatik,...

Akademia filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe projeksionin e materialit dokumentar për vendin, ndërsa një recension historik bëri Aleksandar Litovski nga Instituti i Historisë Kombëtare.

Aktivitetet e organizuara nga Qeveria me rastin e festës së Pavarësisë kanë nisur me akademinë, ndërsa nesër vazhdojnë me manifestime kulturore, promovime, aktivitete sportive. sa/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR