Kovaçevski: Të përfitosh në kurrizin e qytetarëve është gjëja më e keqe që mund të bëjë një kompani
- Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot, në lidhje me Vendimin për ngrirjen e çmimit të bukës, edhe një herë bëri të ditur se Qeveria nuk do të lejojë askënd që të ketë përfitim shtesë në kurriz të qytetarëve.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 12:09, 3 mars, 2023
Shkup, 3 mars 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot, në lidhje me Vendimin për ngrirjen e çmimit të bukës, edhe një herë bëri të ditur se Qeveria nuk do të lejojë askënd që të ketë përfitim shtesë në kurriz të qytetarëve.
Kovaçevski paralajmëroi se në një të ardhme të afërt është e mundur të ngrihen çmimet edhe të disa produkteve të tjera ushqimore, për çfarë tashmë po bëhen llogaritjet.
Sipas kryeministrit, Qeveria nuk i imponon askujt asgjë, por merr vendime në bazë të llogaritjeve të sakta, ndërsa ligjet në shtet duhet të respektohen. Të gjithë duhet të jemi solidarë në kushte të këtilla krize.
Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas vizitës në kopshtin "Prolet", kujtoi se çmimi i bukës është ngrirë që të mbrohen qytetarët dhe shprehu zhgënjimin me disa prodhues të cilët, siç tha, sipas llogarive të publikuara, kanë shitur bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë në orët e mbrëmjes me çmim prej 50 denarë.
"Nuk do të lejoj askënd të bëjë përfitime shtesë në kurrizin e qytetarëve. Nuk qëndron shpjegimi se një furrë e vogël mund të prodhojë bukë më të lirë se një furrë e madhe. Kompanitë të cilat për momentin nuk duan të prodhojnë këtë lloj buke janë ata që kanë marrë pjesën më të madhe të subvencioneve për energji elektrike që nuk mund t'i gjeni askund në treg në kohë krize. Ata duhet të tregojnë përgjegjësi, të dorëzojnë atë që gjithashtu për këtë çmim kanë marzh, sepse llogaritja është bërë nga industria e furrës. Të përfitohet në kurriz të qytetarëve kur duhet të tregojmë solidaritet është gjëja më e keqe që mund ta bëjë një kompani. Nga ana tjetër, ka kompani të ndërgjegjshme dhe dua t'i falënderoj", nënvizoi kryeministri dhe shtoi se në bazë të kontrolleve inspektuee do të merren vendimet e radhës.
Të gjitha dispozitat ligjore, përmendi Kovaçevski, do të përdoren, nga ligjet për tregti, për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbrojtjen e konkurrencës. ar/